Flash News

E-TJERA

"Dardanët" fluturojnë drejt Play Off-it, Polonia shuan ëndrrën kuqezi

"Dardanët" fluturojnë drejt Play Off-it, Polonia shuan

Mbrëmje me emocione të kundërta për kombëtaret shqiptare: Shqipëria u mposht në transfertë nga Polonia me rezultatin 2-1, ndërsa Kosova arriti një fitore spektakolare 3-4 ndaj Sllovakia në “play-off”-et për Botërorin 2026.

Shqipëria përmbyset në Varshavë

Në Varshavë, kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë të kujdesshme, duke ia lënë iniciativën vendasve, të cilët kërkonin vazhdimisht liderin e tyre Robert Lewandowski.

Megjithatë, ishte Shqipëria që goditi e para. Një top i gjatë prej rreth 50 metrash nga Elseid Hysaj gjeti të papërgatitur mbrojtjen polake, me Jan Bednarek që gaboi dhe Hoxha nuk fali, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.

Në pjesën e dytë, Shqipëria pati mundësinë të dyfishonte me Nedim Bajrami në minutën e 54-t, por mesfushori shpërdoroi një rast ideal.

Dhe siç ndodh shpesh në futboll, gabimet ndëshkohen. Në minutën e 63-të, Lewandowski barazoi shifrat pas një goditjeje këndi, duke përfituar nga një pasiguri në mbrojtje dhe një dalje e gabuar e portierit Thomas Strakosha.

Vetëm një minutë më pas, Polonia përmbysi gjithçka me Piotr Zielinski, i cili realizoi me një goditje të bukur nga distanca për 2-1.

Pavarësisht aktivizimit të lojtarëve si Armando Broja dhe Ernest Muçi, Shqipëria nuk arriti të rikthehej në lojë dhe u largua pa pikë nga Varshava.

Kosova me fitore spektakolare në Bratislavë

Në anën tjetër, Kosova dhuroi një ndeshje spektakolare në Bratislavë, duke mposhtur Sllovakinë me rezultatin 3-4 në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Botërorin 2026.

Vendasit e nisën më mirë, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të me Martin Valjent. Por reagimi i “Dardanëve” ishte i menjëhershëm, me Hoxha që barazoi në minutën e 21-të me një gol të bukur.

Sllovakia riktheu avantazhin në fundin e pjesës së parë, por pjesa e dytë foli për Kosovën. Në minutën e 47-të, Fisnik Asllani riktheu baraspeshën, ndërsa në të 60-tën Florent Muslija kaloi Kosovën në avantazh me një goditje perfekte.

Goli i katërt erdhi në minutën e 72-të nga Hajrizi, duke vulosur një përmbysje të madhe për “Dardanët”.

Në minutat shtesë, David Strelec shënoi për vendasit, por vetëm për statistikë, pasi Kosova siguroi një fitore të rëndësishme që e mban në garë për një biletë në Botëror.

Të fundit