Flash News

E-TJERA

DASH publikon profilin e kandidatit për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt

DASH publikon profilin e kandidatit për ambasador në Shqipëri,

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin zyrtar për Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke prezantuar profilin e kandidatit të nominuar për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt.

raport përshkruhet se Gjeneral Lejtnant në pension Eric Wendt aktualisht shërben si Profesor i Praktikës në Naval Postgraduate School (NPS), ku jep mësim për Komandën dhe Lidershipin. Gjatë karrierës së tij ushtarake, ai ka shërbyer për mbi 34 vite në detyra të ndryshme të larta komanduese.

Si oficer i lartë me gradën me tre yje, Wendt ka qenë i vendosur në Evropë dhe ka shërbyer si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s. Në këtë rol, ai ka komanduar të gjitha forcat e operacioneve speciale të NATO-s, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me drejtues të mbrojtjes dhe trupa shqiptare.

Më herët, ai ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendës Komandant Rajonal, ku ka pasur edhe mbikëqyrjen e trupave shqiptare në kuadër të misionit ndërkombëtar.

Raporti thekson gjithashtu se Wendt ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese gjatë karrierës së tij, duke komanduar organizata me mijëra ushtarakë, civilë dhe përfaqësues ndërinstitucionalë. Ai ka shërbyer edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vite në Ambasadën e SHBA-së në Jerusalem, ku ka udhëhequr një koalicion prej tetë vendesh si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Sipas DASH, përvoja e tij në drejtimin e operacioneve komplekse ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale, si dhe njohuritë e tij për rajonin e Evropës, e bëjnë Wendt një kandidat të kualifikuar për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.

Ai ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe master në Naval Postgraduate School në Monterey. Wendt flet arabisht dhe koreanisht dhe është vlerësuar me disa dekorata të larta, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Jashtëzakonshëm të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Jashtëzakonshëm me gjethe lisi, si dhe Medaljen “Bronze Star” me dy gjethe lisi.

Të fundit