Flash News

E-TJERA

Debate te “Ligjet”/ Pse pati shkarkime masive me ardhjen e Begajt? Përgjigjia e përfaqësuesit të presidencës

Debate te “Ligjet”/ Pse pati shkarkime masive me ardhjen e Begajt?

Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar për shkarkimet masive në presidencë me marrjen e detyrës nga Bajram Begaj. Deputetët e opozitës i kërkuan sqarim përfaqësuesit të presidencës Florian Kali se përse kanë ndodhur largimet nga puna.

Ndërsa përfaqësuesi i presidencës ka deklaruar se shkarkimet janë bërë në vlerësimet e dosjeve personale të punonjësve, duke shtuar se janë larguar ata që nuk plotësonin kriteret ligjore.

Deputeti i PD, Gazment Bardhi e kundërshtoi duke nënvizuar se nuk mund të pranohet ky fakt, pasi punonjësit e këtij institucioni duhet të kenë qëndrueshmëri në punë.

Pjesë nga debati

Alibeaj:  Do të doja një sqarim për disa njoftime që kanë dalë në media për disa shkarkime masive në Presidencë. Një pjesë e tyre sipas mediave kanë edhe statusin e nëpunësit civil. Pyetjen dhe sqarimin do të doja ta dija që këto shkarkime masive nëse kanë ndodhur, a mund të sjellin ndonjë impakt në buxhetin tuaj se këta punonjës nëse shkojnë në gjykatë dhe fitojnë gjyqet. Pra, a ka ndodhur apo jo dhe çfarë impakti mund të sjellin?

Florian Kali: Ne kemi bërë një ristrukturim dhe kemi sjellë strukturën e Presidencës siç duhet pasi ishte në një piramidë jo të drejtë. Në vlerësimet e dosjeve personale të gjithë personat që nuk plotësonin kriteret sipas ligjit, janë bërë largimet për mospërputhje kriteresh specifike. Numrin total nuk ua them saktësisht. Llogari për 2023 nuk shohim pasi nuk ka pasur asnjë procedim në gjykatën administrative. Nuk shohim ndonjë impakt gjatë viteve të ardhshme.

Bardhi: Pagat duhet të rriten për të gjithë administratën publike, jo vetëm për Presidencën. Sa i përket investimeve nëse lidhen me sigurinë e Presidencës, duhet të vendosen në dispozicion. Sa i përket shtesës në strukturë, ndaj të njëjtin shqetësim për pushime masive nga puna në institucionin e Presidentit.

Nuk e pranoj dot që punonjësit që janë marrë në punë, janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Pushimet nga puna të pamotivuara janë të dënueshme kudo që ndodhin.  Nuk e pranojmë dot që Presidenca të bëjë pushime masive nga puna, vetëm se u ndërrua Presidenti i Republikës. Punonjësit duhet të kenë qëndrueshmëri në punë. Ju strukturën bëjeni siç iu përshtatet më shumë, por respektoni ligjin për nëpunësit civilë.

 

Të fundit