Flash News

E-TJERA

Debati për emigrantët/ Rama bisedë telefonike me kryeministrin britanik, ambasada zbardh ç’diskutuan

Debati për emigrantët/ Rama bisedë telefonike me kryeministrin

Kryeministri britanik Rishi Sunak zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, këtë pasdite.

Sipas një njoftimi nga ambasada britanike në Tiranë, të dy liderët vlerësuan marrëdhënien e ngushtë afatgjatë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe u angazhuan për të forcuar bashkëpunimin sa i takon tregtisë, investimeve dhe mbrojtjes, përfshirë edhe sigurinë kibernetike.

Kryeministri Sunak pranoi kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në shoqërinë britanike, por të dy udhëheqësit pranuan se më shumë duhet bërë për të adresuar emigracionin e paligjshëm dhe për të sfiduar krimin e organizuar.

Ata diskutuan mbi planet për të shtuar bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta duke përfshirë edhe mbylljen e boshllëqeve që po ndalojnë kthimin e shpejtë të azil-kërkuesve të refuzuar.

Kryeministri Rishi Sunak dhe Kryeministri Edi Rama mirëpresin të punojnë së bashku për t’i trajtuar këto çështje dhe të thellojnë marrëdhënien gjithëpërfshirëse mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se emigrantët e paligjshëm shqiptarë të cilët kalojnë kanalin e La Manshit në mënyrë ilegale janë kthyer në një shqetësim për qeverinë dhe autoritetet britanike.

Dyndjet masive të shqiptarëve në rrugë ilegale u bënë shkak edhe për një përplasje në distancë me Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, dhe kryeministrit Edi Rama kur ky i fundit dënoi deklaratën e Braverman e cila i quajti shqiptarët kriminelë.

Ministrat britanikë po kërkojnë të gjejnë një rrugë të shpejtë dëbimi për t'i kthyer shqiptarët në një vend që ata gjykojnë se është "i sigurt", ndërsa Rama ka kërkuar një marrëveshje për të përfshirë një skemë të vizave të punës të stilit gjerman për shqiptarët për të ardhur në MB.

 

 

Të fundit