Flash News

E-TJERA

Deklarata e ministrit kundër shqiptarëve, Tirana zyrtare notë proteste ndaj Britanisë

Deklarata e ministrit kundër shqiptarëve, Tirana zyrtare notë

Ambasadori i Britanisë në vendin tone, Alastair King Smith është thirrur sot në ministrinë e Punëve të Jashtme, ku i është dorëzuar një notë proteste për deklaratat e  ministrit të emigracionit Robert Jenrick kundrejt shqiptarëve.

Ky i fundit iu kërkoi autoriteteve britanike të gjenin dhe ndalonin shqiptarët e më pas t’i dëbonin drejt Tiranës.

Gjuha e ashpër, me të cilën ai iu drejtua shqiptarëve u kundërshtua më herët edhe nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. Kjo e fundit tha se ministri ashpërsoi gjuhën e tij për të fituar vota.

Në këtë notë verbale, ministria kërkon që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit. Më tej thekson se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.

Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë.

 

Të fundit