Flash News

E-TJERA

Dëmtimi i regjistrave në Kadastrën e Durrësit, prokuroria nis hetimet

Dëmtimi i regjistrave në Kadastrën e Durrësit, prokuroria

Prokuroria ka nisur hetimet pas publikimit të raporteve mbi gjendjen e dosjeve dhe regjistrave të pronave në Kadastrën e Durrësit.

“Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”, thuhet në njoftimin për median e prokurorisë.

Ishte kreu i Kadastrës, Artan Lame, i cili denoncoi abuzimet me dosjet e pronave në Kadastrën e Durrësit e sidomos me regjistrat e tokave në bregdet. Vetëm 15% e dosjeve ishin të sakta dhe pa mangësi, ndërsa pjesa dërrmuese kishte mungesë fletësh, zëvendësime ose dëmtime të konsiderueshme.

“Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra: Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime. Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj: 730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare); 243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër); 569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri); 25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes); 1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim për t'u përdorur me data te mëparshme)”, tha Lame.

Të fundit