Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
‘Derisa t’i vras të gjithë burrat, nuk ndalem’, si u zbuluan krimet e familjes Lleshi

Më 8 gusht 2020, ndërsa Shqipëria ndodhej ende në karantinë pas valës së parë të pandemisë së Covid-19, një fotografi nisi të qarkullonte në aplikacionin e koduar Sky ECC – një platformë komunikimi e përdorur në atë kohë në mbarë Europën për të shkëmbyer mesazhe larg vëmendjes së autoriteteve ligjzbatuese.
Fotografia tregonte një person të shtrirë përtokë, pjesërisht i mbuluar nga bimësia. Mesazhi që e shoqëronte ishte i shkurtër dhe rrënqethës.
“Një mashtrues më pak, vëlla”, shkruante dërguesi në spanjisht. “Janë tashmë 4 nga e njëjta familje, vëlla, dhe derisa t’i vras të gjithë burrat, nuk do të ndalem”, shtonte ai me një ton triumfues.
Pesë vite më pas, hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të zbulonin se dërguesi i mesazhit ishte një burrë nga veriu i Shqipërisë, i cili ishte në hasmëri me një familje tjetër të zonës.
Prokurorët besojnë se burri i shfaqur në fotografi ishte një 21-vjeçar i zhdukur një ditë para dërgimit të mesazhit. Për muaj me radhë, jashtë aplikacionit të koduar Sky ECC, ai rezultonte i humbur dhe askush nuk kishte dijeni për fatin e tij.
Në dhjetor 2020, qeni i një fermeri u end në një ullishte të vendosur mbi një gurore të braktisur pranë fshatit Shpërdhet në Mamurras. Kur kafsha u kthye, mbante në gojë një kafkë njeriu.
Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje gjetën eshtra të tjera. Pranë tyre zbuluan edhe një palë mbathje të bardha të modelit bokser, si dhe një palë pantallona të shkurtra sportive të zeza me mbishkrimin “Nike”.
Ekspertët mjeko-ligjorë do të përcaktonin se mbetjet i përkisnin një të riu, me gjasë midis njëzet dhe tridhjetë vjeç, i cili ishte vrarë me armë zjarri. Një test ADN-je konfirmoi më vonë identitetin e tij si Klevis Lleshi, i cili kishte humbur kontaktet me familjen prej disa muajsh.
Deklarimet e familjarëve të viktimës, si dhe informacionet e mbledhura nga policia, ngritën dyshime se zhdukja e tij lidhej me motive gjakmarrjeje. Hasmëria që dyshohet se i kushtoi jetën të riut shtrihej pas më shumë se një dekade dhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Në vitin 2012, një anëtar i familjes Lleshi kreu një vrasje në Mbretërinë e Bashkuar. Vrasja shkaktoi një zinxhir hakmarrjeje. Gjatë dekadës që pasoi, tre anëtarë të familjes Lleshi u vranë ose u zhdukën, njëri pas tjetrit.
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevisit. Katër vite më vonë, në vitin 2017, u vra edhe xhaxhai i tij, Hajredin Lleshi. Po atë vit u zhduk edhe djali i këtij të fundit, Artan Lleshi, i cili u pa për herë të fundit në zonën e Kamzës dhe ende nuk është gjetur.
Makina e djegur në Southampton
Më 10 prill 2012, në një rrugë të qetë rurale në veri të qytetit të Southamptonit në Mbretërinë e Bashkuar, policia vendore zbuloi një Mercedes ngjyrë argjendi të djegur. Në pjesën e pasme të makinës ndodhej trupi i shkrumbuar i një burri.
Një ekzaminim post-mortem i trupit të viktimës zbuloi se ai nuk kishte tym në mushkëri, çka tregon se kishte vdekur përpara se makina të digjej. Hetimet e mëtejshme të policisë britanike zbuluan se viktima ishte 29-vjeçari Agim Hoxha, një drejtues vinçi me banim në Southampton, me origjinë nga Shqipëria.
Hetimet e policisë çuan në arrestimin e dy të dyshuarve dhe ngritjen e akuzave për vrasje ndaj Arben Lleshit, një 25-vjeçari shqiptar me banim në Southampton, shok i viktimës.
Hoxha kishte jetuar për 12 vite në Mbretërinë e Bashkuar, ku kishte punuar në kantiere të ndryshme ndërtimi në Southampton dhe Londër. Por gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata dëgjoi dëshmi që e lidhnin viktimën me trafikun e drogës. Pas vdekjes, policia zbuloi 42 mijë paund të fshehura në një nga dy makinat e tij.
Në shkurt 2013, pas një gjyqi gjashtëjavor në Gjykatën e Kurorës në Winchester, Arben Lleshi u shpall fajtor për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.
Zhdukja e Klevis Lleshit
Klevis Lleshi ishte djali i xhaxhait të Arben Lleshit. Ditën që ai u zhduk, dëshmitarët e panë në dalje të tunelit të Shkopetit dhe më vonë jashtë një lokali në Mamurras, me një grup të rinjsh duke pirë cigare.
Pas tij, me një Mercedes të zi, ndodhej edhe Sabah Nuzi, një i ri që hetuesit më vonë do ta identifikonin si aktor kyç në zhdukjen e viktimës.
Grupi bisedoi për pak minuta përpara se të shpërndahej. Disa prej burrave hynë në kafene, ndërsa Lleshi mbeti jashtë me Nuzin dhe një person tjetër që qëndronte ulur në një makinë.
Pas kësaj, ai u zhduk.
Do të duheshin vite që prokurorët të rindërtonin se çfarë kishte ndodhur më pas.
Pas administrimit të komunikimeve të aplikacionit Sky ECC nga autoritetet franceze, SPAK zbuloi një seri mesazhesh ku diskutohej vrasja dhe zhdukja e Klevis Lleshit.
Në qendër të këtyre bisedave është një llogari që dyshohet se i përkiste Aurelinjo Kolaverit, vëllait të Agim Hoxhës, viktimës së gjetur i shkrumbuar në vitin 2012 në Southampton.
Kolaveri dyshohet se është gjithashtu i përfshirë në trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Bashkimit Europian.
Në orët e pasdites së 5 gushtit 2020, menjëherë pas zhdukjes së Klevis Lleshit, Aurelinjo Kolaveri i dërgon një bashkëbiseduesi fotografinë e trupit pa jetë të viktimës, duke e identifikuar si “djalin e Xhavitit”.
Kolaveri tregon se vrasjen e kishte kryer një person me emrin “Sabi” – i dyshuar si Sabah Nuzi, ndërkohë që ai vetë kishte udhëtuar drejt Stambollit. Ai shton se vrasësi ishte kontraktuar nëpërmjet kushëririt të tij, Sajmir Kolaveri.
“Se e patëm lënë me e ba ke pallati e u merrte vesh. Po ky e paska marrë makinën e e ka mbaru në makinë,” , shkruan Kolaveri, ndërsa zbulon se vrasësi do të paguhej një shumë prej 50 mijë euro.
Zhdukja e gjurmëve të krimit
Pak ditë pas zhdukjes së Klevis Lleshit, bisedat e Aurelinjo Kolaverit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Sky ECC dominohen nga shqetësimi për zbulimin e krimit.
Më 8 gusht 2020, vetëm tre ditë pas ngjarjes, Sajmir Kolaveri i raporton Aurelinjos për reagimin e mjedisit shoqëror dhe të familjarëve të Klevis Lleshit pas zhdukjes së tij. Sajmiri i shkruan Aurelinjos se viktima “nuk pëlqehej” dhe se zhdukja e tij po pritej mirë nga disa.
Në të njëjtën kohë, ata përpiqen të menaxhojnë perceptimin e publikut rreth ngjarjes, duke shpërndarë versionin se Klevis Lleshi mund të jetë ende gjallë, ndërsa paralelisht planifikojnë dërgimin e një ndërmjetësi për të kërcënuar familjarët që të “rrijnë urtë”.
Ndërkohë, më 10 gusht 2020, Sabah Nuzi, i identifikuar si personi që dyshohet se ka kryer vrasjen, merret në pyetje nga policia. Ai mohon çdo dijeni për vrasjen, ndërsa kushërinjtë Kolaveri diskutojnë mbylljen e komunikimeve dhe përdorimin e kodeve të reja për të shmangur gjurmimin.
Frika nga zbulimi shoqërohet me përpjekje për të monitoruar lajmet në rrjetet sociale, ndërsa persona që komentojnë apo përhapin informacione konsiderohen si kërcënim.
Në mes të gushtit, komunikimet tregojnë se Nuzi shfaqet i gatshëm të dhunojë këdo që përmend emrin e tij, përfshirë komentues në rrjetet sociale apo edhe zyrtarë policie.
Në një rast, ai kërkon një makinë të vjedhur për të kryer një tjetër vrasje, ndërsa në një rast tjetër pranon se një automjet i përdorur prej tij është djegur, sepse ishte “mbushur me gjak”. Në të njëjtën kohë, krijohet dhe një alibi të rreme – një versioni sipas të cilit Klevis Lleshi ishte parë duke u larguar drejt Greqisë, për të devijuar hetimin dhe për të fituar kohë.
Nuzi merr para në mënyrë të vazhdueshme nga kushurinjtë Kolaveri, përgjithësisht shuma të vogla për shpenzime apo borxhe, por edhe mbështetje logjistike dhe këshilla për të shmangur arrestimin. Në një moment, diskutohet hapur nevoja për ta larguar nga Shqipëria, për ta çuar në Gjermani dhe për ta nxjerrë nga vëmendja e autoriteteve.
Në fillim të shtatorit 2020, Sabah Nuzi i mbijeton një atentati dhe, sipas komunikimeve të koduara, kundërpërgjigjet me një tjetër vrasje, duke e lidhur ngjarjen me të njëjtin zinxhir hakmarrjeje.
“E mbarova njanin… e hodha në Shkopet”, shkruan Nuzi në një mesazh për Aurelinjo Kolaverin më 3 shtator. “Por para se mi ra, i thashë me më tregu kush ju ka shty,” shton ai.
Në dhjetor 2020, kur në Mamurras gjenden mbetjet kockore që dyshohet se i përkasin Klevis Lleshit, komunikimet marrin një kthesë tjetër.
Të përfshirët përpiqen të marrin informacion nga brenda policisë, diskutojnë mundësinë e ndërhyrjes në analizat e ADN-së dhe madje edhe manipulimin e provave. Paralelisht, jepen urdhra për djegien e telefonave dhe zhdukjen e çdo gjurme që mund t’i lidhë me krimin.
Vrasje në burg
Në një tjetër komunikim të përgjuar në Sky ECC, të datës 14 gusht 2020, biseda mes Aurelinjo Kolaverit dhe Sajmir Kolaverit sugjeron se grupi po shqyrtonte mundësinë e një vrasjeje tjetër, këtë herë brenda burgut.
Sipas dosjes, Sajmir Kolaveri i përcjell Aurelinjos një kërkesë nga një person i quajtur “Gysi”, i cili donte të takonte “kushon” për të folur mbi mënyrën se si mund të “mbaroheshin” dy persona që ndodheshin në burg.
Në vazhdim të bisedës, Sajmiri shfaq dyshime për realizimin e një skenari të tillë, duke i thënë kushëririt se, ndonëse njihnin njerëz në burgje, askush nuk merrte përsipër ta bënte.
Më pas, ai hedh në diskutim emrin e Agim Pepës, duke pyetur nëse duhej folur me të, me arsyetimin se edhe ai “e mbaron punën”.
Sipas akteve të cituara në vendim, bëhet fjalë për Agim Ndue Shurbin, i njohur si Agim Pepa, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e punonjësit të policisë, Gani Malushi në vitin 2003.
Pepa po vuante dënimin në burgun e Peqinit, aty ku ndodhej edhe Arben Lleshi. Në vitin 2016, Lleshi ishte ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, pas njohjes së dënimit për vrasje nga gjykata shqiptare.
Për prokurorinë, ky komunikim lë të kuptohet se Aurelinjo Kolaveri po kërkonte të kontaktonte persona me dënime të rënda, me qëllim organizimin e vrasjeje brenda qelisë.
Sajmir Kolaveri përpiqet ta frenojë, duke i thënë të mos “shohë ëndrra me sy hapur” dhe duke lënë të kuptohet se, për momentin, prioritet mbeteshin personat që ndodheshin jashtë.
Megjithatë, më 15 dhjetor 2023, ëndrra makabre e Aurelinjo Kolaverit bëhet realitet. Arben Lleshi vritet me armë zjarri brenda burgut të Peqinit nga një i burgosur tjetër me dënim të përjetshëm.
Trupi i Lleshit mbeti për më shumë se 11 muaj në morg, pasi nuk u tërhoq nga të afërmit që kishin frikë nga hakmarrja. Në nëntor 2024, ai u varros nga punonjësit e bashkisë në Mat.
Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38