Flash News

E-TJERA

Dëshmitar i “Toyota Auris”, çfarë rrëfeu Artan Hoxha para belgëve: Po hetojnë aferën kriminale

Dëshmitar i “Toyota Auris”, çfarë rrëfeu Artan

Gazetari investigativ Artan Hoxha është thirrur së dëshmitar i çështjes “Toyota Auris” nga prokurorët belgë.

Në një lidhje për studion e ‘Log’ në Abc News, Hoxha rrëfeu se kishte qëndruar në zyrën e prokurorëve belgë për së paku 4 orë teksa për arsye hetimi nuk dha shumë detaje nga dëshmia e tij. Hoxha tha se në qershor të këtij viti pritet të dalin informacione të reja.

“Sigurisht që çështja në Belgjikë është bërë e famshme për Toyota Yaris, edhe pse është Auris. Kanë qenë dy makina, se kanë qenë 3.4 milionë euro, edhe pse prokuroria jonë e mbylli çështjen vetëm për mos deklarim të hollash, gjë që ua bënë vetëm nënave të emigrantëve. Gjithsesi ky është hetim që prokuroria belge e ka nisur që në vitin 2018-të, është një hetim që ka zgjatur. Në Belgjikë unë isha i fundit si dëshmitar. Ka qenë seancë që zgjati diku te 4 orë, sigurisht që çështja do dalë në gjykim në qershor të këtij viti, aty do njihemi edhe me objektivin e tetë. Janë kapur dy shtetas shqiptarë, njëri është kapur në Maqedoninë e Veriut dhe tjetri në Malin e zi dhe të ekstraduar në Belgjikë. Sigurisht që për pjesën time donin të dinin mbi informacionet e mia. Mesa duket zyra policore që ata kanë në Tiranë nuk e merr rrogën kot, ata kishin zbardhur të gjitha deklaratat. Ishin deklarata të bëra në Kuvend, nga ish-kryeministri, kryeministri, nga ato ata kishin ngritur pyetje”, tha Hoxha.

Ndër të tjera, gazetari tregoi se belgët kanë vendosur ta shohin në detaje çështje duke hetuar në brendësi të aferës kriminale, teksa tha: “Ata ishin shumë detajist, i kishin hyrë kësaj histori me themele. Pavarësisht zhurmës politike, ata po hetojnë aferën kriminale.”

Lidhur me deklaratat e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, dhe deputetit socialist Taulant Balla për ‘Toyota Auris’, Hoxha tha se belgët i kanë zbardhur të gjitha deklaratat e tyre publike, dhe se iu kishte bërë përshtypje se si personazhe në nivel qeveritar bënin të tilla deklarata.

“Deklaratat e tyre publike i kanë zbardhur, por ata ishin fokusuar tek çështja konkrete. U kishte bërë përshtypje se si personazhe të këtij niveli bënin deklarata të tilla. Por u thashë se jemi në Shqipëri. Por pjesa tjetër thashë që do të jetë pjesë e sekretit hetimor, në qershor do mësojmë element të rinj. Por ajo që është e qartë është se ne në Shqipëri nuk jemi marrë me ata që i kanë paratë, por me ata që i transportonin, ndërkohë belgët interesoheshin përtej, ata ishin të qartë se kishin kapur vetëm transportuesit, donin të shkonin edhe më tej. Ata donin të dinin se për çfarë i përdornin grupet kriminale këto para këtu”, shtoi Hoxha.

Të fundit