Flash News

E-TJERA

Dështon sërish seanca në GJKKO për Veliajn, SPAK: Po luhet me drejtësinë

Dështon sërish seanca në GJKKO për Veliajn, SPAK: Po luhet

Ka dështuar sërish seanca në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë.

Kjo është hera e tretë që seanca shtyhet, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë. Ai ka deklaruar se po shqyrton fashikujt hetimorë në paraburgimin e Durrësit dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i legjitimuar në seancën e mëparshme. E pranishme ishte edhe avokatja , Valentina Todoresku, ndërsa shumica e të pandehurve të tjerë mungonin.

Gjatë seancës, avokati Sokol Hazizaj kërkoi që klienti i tij, Fatmir Bektashi, së bashku me shoqërinë e tij, të gjykohet me procedurë të shkurtuar, me qëllim shmangien e shtyrjeve të mëtejshme. Kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesit e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado.

Prokurori Ols Dado deklaroi se kërkesa përbën një strategji për të zvarritur procesin, duke theksuar se prej muajsh nuk po arrihet të hyhet në shqyrtim. Sipas tij, nuk ka shkaqe procedurale dhe kërkesa nuk i shërben ekonomisë gjyqësore.

Nga ana tjetër, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, hodhi poshtë akuzat për zvarritje, duke theksuar se synimi është një proces i rregullt dhe i shpejtë, por pa cenuar të drejtat procedurale. Ai u bashkua me kërkesën për shtyrjen e seancës.

Pas shqyrtimit të kërkesave, GJKKO vendosi shtyrjen e seancës për të premten, në orën 09:00.

Erion Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij, SPAK ka ngritur 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre.

Diskutimet në sallë:

Sokol Hazizaj, avokat: Duke qenë se narrativa nuk ka ndonjë debat për Fatmir Bektashin, kërkojmë ndarjen e procesit për të mos vazhduar me shtyrje. Kërkesën time nuk e bëj në paragjykime, por mendoj që është tej paragjykimeve në këtë proces. Unë po bëj kërkesë të thjeshtë.

Ols Dado: Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që s’po arrijmë dot të futemi. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën e avokatit Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj. S’ka në thelb shkaqe procedurale. Nuk paraqet interes për ekonominë gjyqësore.

Plarent Ndreca (avokat i Veliajt): Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak, por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën, se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë, proces të rregullt gjyqësor. Jemi për proces që të zhvillohet me shpejtësi, por pa shkelur të drejtat procedurale. Për kërkesën ne bashkohemi me Artan Simonin për të shtyrë seancën.

Të fundit