Flash News

E-TJERA

Dezinformim dhe vetëdiagnostikim, raporti ngre alarmin se teknologjia po cënon shëndetin publik

Dezinformim dhe vetëdiagnostikim, raporti ngre alarmin se teknologjia po

Dezinformimi shëndetësor në Shqipëri ka arritur nivele kritike, duke prekur 9 në 10 qytetarë dhe duke u shndërruar nga një fenomen i izoluar në një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë shëndetësore të popullatës, sipas një raporti të publikuar të premten.

Raporti “Përballja me dezinformimin shëndetësor dhe deepfake-et në epokën e inteligjencës artificiale”,  është përpiluar nga organizata Together for Life, me mbështetjen e ‘See Check Network’ dhe financimin e Bashkimit Evropian dhe u prezantua në një takim me ekspertë të fushës.

Në një takim për prezantimin e raportit hulumtuesit vunë në dukje se vetë-diagnostikimi dhe vetë-trajtimi i bazuar në këshilla të marra nga Inteligjenca Artificiale apo burime të paverifikuara po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve, duke minuar besimin tek mjekët dhe institucionet.

Një ndër shqetësimet më të mëdha të ngritura në raport është përdorimi i teknologjisë “Deepfake” për të manipuluar zërin dhe figurën e mjekëve të njohur, me qëllim shitjen e produkteve pa bazë shkencore. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, denoncoi publikisht rrezikun që i kanoset jo vetëm pacientëve, por edhe vetë personelit shëndetësor.

“Abuzimi me identitetin e mjekëve përmes deepfake-eve dhe reklamave të rreme nuk është vetëm mashtrim financiar, por një rrezik real për jetën e njerëzve. Mungesa e mbrojtjes dhe reagimit efektiv i ekspozon mjekët ndaj kërcënimeve dhe vetëgjyqësisë,” deklaroi Brataj, figura e të cilit është përdorur në këto video.

Ndërkohë gjatë takimit të mbajtur me përfaqësues të institucioneve dhe medias, u ngrit shqetësimi për rolin e emisioneve televizive në këtë fenomen. Alida Cenaj, Drejtore e Kabinetit pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, bëri të ditur se në dy vitet e fundit janë evidentuar 6 raste flagrante të reklamave të fshehta.

“Monitorimet tona tregojnë se shkeljet më problematike në median audiovizive lidhen me reklamat e fshehta dhe promovimin e paligjshëm të produkteve shëndetësore, ku moderatori apo të ftuarit shndërrohen në reklamues të drejtpërdrejtë,” u shpreh Cenaj, duke njoftuar nismën e re ‘Infodemia’ për ndërgjegjësimin e gazetarëve.

Hulumtuesit ndërkohë ngritën alarmin dhe kërkuan marrje të masave dhe një strategji konkrete për të ndikuar ndaj fenomenit. “Dezinformimi shëndetësor duhet të trajtohet zyrtarisht si çështje e shëndetit publik, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuar, të menjëhershme dhe afatgjatë”, thuhet në rekomandimet që ata shpërndanë.

Sipas hulumtuesve mjet i rëndësishëm është edukimi i qytetarëve për të ndaluar fenomenin në rritje të vetëdiagnostikimit. “Të dhënat tregojnë se rreziku më i shpeshtë i lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale për tema shëndetësore është frymëzimi për vetë-diagnostikim dhe vetë-trajtim, i raportuar nga 63.7% e të anketuarve”, thuhet në raport. Reporter.al

Të fundit