Flash News

E-TJERA

Dhoma Amerikane e Tregtisë, 40 rekomandime qeverisë për investimet e huaja: Të luftohet korrupsioni!

Dhoma Amerikane e Tregtisë, 40 rekomandime qeverisë për

Pas intervistimit të 220 bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi punën dhe vështirësitë e tyre konkrete në terren, Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Raportin mbi Agjendën e Investimeve dhe 40 Rekomandime mbi Përmirësimin e Klimës së Biznesit në Shqipëri.

Përmes një letre falënderimi, presidenti i Dhomës Tregtare (AmCham), Enio Jaço, u ka kërkuar anëtarëve të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret për Parlamentin e ri.

Agjenda e Investimeve, shkruan faqja zyrtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë, është rezultat i punës së 10 muajve të fundit, gjatë të cilëve u realizuan një seri anketimesh me anëtarët e saj, ndjekur nga analiza teknike ekspertësh. E gjithë kjo është bërë për “përmirësimin e klimës së investimeve”.

40 rekomandimet specifike në raport janë organizuar në mënyrë të tillë, duke “parashikuar sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen”, shkruan AmCham.

Agjenda, po ashtu, synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja.

Pjesë e rekomandimeve është edhe lufta kundër korrupsionit, sanksionimi i abuzuesve, monitorimi i llogaridhënies dhe qëndrimi pa ndikim politik, por gjithëpërfshirës.

Rekomandimet, shkruhet në njoftimin e AmCham, “synojnë rritje ekonomike duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë”.

Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon. Dhoma Amerikane do të jetë e gatshme të ofrojë asistencën e saj në kthimin e rekomandimeve në legjislacion, ndërsa do të vijojë dialogun me të gjitha palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar”, thuhet ne njoftimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

AmCham kreu vitin e fundit një seri vëzhgimesh dhe analiza me ekspertë për të parë klimën e investimeve dhe të biznesit në Shqipëri. “Sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, janë po aq të mëdha sa edhe mundësitë e gjera për t’u shfrytëzuar”, - thuhet në raport.

Nga një anë, vëzhgimet e komunitetit të biznesit, që konfirmohen edhe nga raporte të besueshme ndërkombëtare, flasin për një klimë biznesi joefektive dhe të shtrenjtë në Shqipëri, vështirësi u përkeqësuan gjatë periudhës së pandemisë.

Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vend-ndodhje dhe burime natyrore si dhe një fuqi punëtore të talentuar.

Hapat e reja drejt BE-së dhe marrëveshja e fundit ekonomike me SHBA-të ofrojnë mundësi unike e të mëdha në periudhë afatgjatë” - theksohet në raport.

Të fundit