Flash News

E-TJERA

Dhoma Amerikane: Turizmi po dëmtohet nga mungesa e ujit të pijshëm, ujërat e zeza dhe fuqia punëtore

Dhoma Amerikane: Turizmi po dëmtohet nga mungesa e ujit të

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, në një deklaratë për shtyp, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar për turizmin në vend, veçanërisht për mungesën e ujit të pijshëm, keqmenaxhimin e ujërave të zeza si dhe problematikën e fuqisë punëtore në vend.

Të gjitha këto po dëmtojnë aktivitetin e turizmit dhe cilësinë e shërbimeve, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese.

Dhoma tha në një deklaratë për shtyp se e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe me interes të veçantë dinamikën e zhvillimit të turizmit shqiptar gjatë viteve të fundit. Ne gjejmë me vend të shprehim vlerësimet për impaktin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj.

Ndërkohë, në mbështetje të këtij sektori, ne dëshirojmë të sjellim në vëmendje disa prej sfidave me të cilat po përballen anëtarët tanë në këtë fillim sezoni. Adresimi i tyre në kohë do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.

Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.

Gjithashtu, ne gjejmë me vend të adresojmë çështjen e shumëdiskutuar të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori. Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit.

Me dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e një sektori prioritar për vendin, ne kërkojmë vëmendjen e qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje./ Revista Monitor 

Të fundit