Flash News

E-TJERA

Dhoma e Avokatisë reagon pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami: Nuk jemi Republikë e Prokurorëve

Dhoma e Avokatisë reagon pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami: Nuk

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, i cili u ndalua të shtunën pasi dyshohet se ka kërcënuar një prokuror gjatë një seance gjyqësore ku mbronte klientin e tij, Maksim Lika.

Në reagimin zyrtar, Dhoma e cilëson arrestimin “një ngjarje të paprecedentë”, duke theksuar se avokati është ndaluar për shkak të deklarimeve të bëra në sallën e gjyqit, në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij si mbrojtës ligjor.

“Kemi të bëjmë me arrestimin e një avokati për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.

Sipas saj, ndalimi i avokatit përbën “shkelje flagrante të ligjit” dhe “cenim të fjalës së lirë në procesin gjyqësor”. Dhoma i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar rastin.

“Ende besojmë se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një ‘Republikë të Prokurorëve’,” përfundon reagimi, i firmosur nga kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia.

Të fundit