Flash News

E-TJERA

'Dhuna' ndaj aktivistëve, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut: Policia nuk ka reflektuar! Viktimat e forcës policore të kërkojnë dëmshpërblim

'Dhuna' ndaj aktivistëve, Komisionerja për të Drejtat e
Foto Ilustruese

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Dunja Mijatoviç ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj aktivistëve për mbrojtjen e Teatrit.

Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar deklaratën e Mijatoviç, ku u bëhet thirrje “autoriteteve shqiptare të parandalojnë dhunën e mëtejshme policore dhe të mbështesin të drejtën për lirinë e tubimit paqësor”.

Duke nënkuptuar se mbrojtja ndaj pandemisë nuk duhet të shërbej si justifikim për ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve, zyrtarja u bën thirrje autoriteteve shqiptare të bëjnë diferencën mes protestuesve paqësor dhe atyre të dhunshëm.

“Autoritetet duhet që në çdo kohë të demonstrojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të sillen para drejtësisë dhe të sanksionohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimin”, shkruan euro-komisionerja, duke shtuar se personat që janë viktimë e dhunës së policisë, duhet të paraqesin një ankesë për të marrë dëmshpërblim.

Më tej, komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Dunja Mijatoviç, është ndalur edhe tek dhuna policore e ushtruar ndaj përfaqësuesve të medias në protestat që pasuan vrasjen e Klodian Rashës.

“Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për tu informuar”, ka thënë Mijatoviç.

Kujtojmë se, një ndër aktivistët e ndaluar dhe të dhunuar dje ishte edhe Donald Martini, koreograf dhe pedagog në liceun artistik.

Reagimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

Reagimi Komsioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja pas protestave që u zhvilluan pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, për të kuptuar se si Policia ende nuk ka reflektuar per dhunën e përdorur ndaj protestuesve, pasi përdori të njëjtën dhunë edhe më të egër ndaj aktivistëve të ndaluar dhe dhunuar dje në Komisariatin 1.

Një prej tyre ishte Donald Martini në foto, një prej koreografëve më të mirë shqiptarë, pedagog në liceun artistik. Pikërisht dje ai kori një çmim prestigjoz në një festival filmi me një etyd kërcimi ku kish realizuar koreografinë, në Los Angeles në USA. Në këmbim mori dhunën e Policisë Shqiptare, sepse kërkoi të ushtronte të drejtën e tij për liri.

Deklarata e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Dunja Mijatoviç:

“Autoritetet shqiptare duhet të parandalojnë dhunën e mëtejshme policore dhe të mbështesin të drejtën për lirinë e tubimit paqësor.

Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje në demonstrata dhe të sigurojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për të gjitha pretendimet e përdorimit të tepruar të forcës.

Përdorimi jo proporcional i forcës është raportuar gjithashtu në lidhje me të tjera protesta të organizuara në Shqipëri në fillim të këtij viti.

Reagimi ndaj pandemisë Covid-19 nuk u jep autoriteteve ‘kartë të bardhë’ për të përdorur forcë në pandemi.

E drejta për mbledhje paqësore mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të mbështesin parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat. Prandaj, ndalimet në parim të grumbullimeve publike dhe shpërndarja e demonstratave për të vetmen arsye se ato shkelin rregullat e masave kufizuese, pa marrë në konsideratë përdorimin e mjeteve te tjera, duhet të shmangen. Policia duhet gjithashtu të bëjë dallimin midis individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbahen nga përdorimi i rëndë ose pa kriter i forcës. Për më tepër, çdo ndalim i fëmijëve duhet të kryhet vetëm si një masë e fundit dhe duhet të respektojë plotësisht të drejtat e tyre procedurale, duke përfshirë të drejtën për t’u pyetur vetëm në prani të një avokati ose njërit prej prindërve ose kujdestarëve të tyre.

Është thelbësore të sigurohet që oficerët e policisë që veprojnë në kontekstin e demonstratave të marrin trajnim të specializuar në menaxhimin e grumbullimeve  dhe përdorimin proporcional të forcës.

Autoritetet duhet që në çdo kohë të demonstrojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të sillen para drejtësisë dhe të sanksionohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimi për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në 2011. Veshja e etiketave të dukshme të identifikimit ndihmon në sigurimin e përgjegjësisë. Për më tepër, personat që pretendojnë të jenë viktima të sjelljes së keqe të policisë duhet të jenë në gjendje të paraqesin një ankesë për të marrë dëmshpërblim.

Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për tu informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës”.

'Dhuna' ndaj aktivistëve, Komisionerja për të Drejtat e
Në foto: Donald Martini i dhunuar dje nga policia

Të fundit