Flash News

E-TJERA

Dhunë ndaj një 14-vjeçari në Komisariat?/ Komiteti i Helsinkit ngre alarmin: U godit me grushta, policia nuk e çoi tek mjeku! Të hetohet

Dhunë ndaj një 14-vjeçari në Komisariat?/ Komiteti i

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar me shqetësim lidhur me një rast dhune të dyshuar ndaj një të mituri 14-vjeçar të shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1 në Tiranë, më datë 12 prill 2025.

Sipas KShH-së, i mituri J.G u ndalua nga efektivët e policisë pranë Kodrës së Liqenit, pasi dyshohej se kishte hedhur kapsolla. Prindërit e tij pretendojnë se djali i tyre u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht gjatë shoqërimit.

Në dokumentacionin e Komisariatit figuron se i mituri kishte hematomë pranë syrit të djathtë, por nuk u vizitua nga mjeku i komisariatit. Pavarësisht kësaj, punonjësit e policisë mohuan çdo akt dhune ndaj tij. Vetëm pas ndërhyrjes së prindërve, i mituri u dërgua në Spitalin e Traumës, ku sipas epikrizës mjekësore, ai kishte pësuar "Contusio capitis" (traumë koke) dhe goditje me grushta.

Komiteti vëren gjithashtu se në regjistrin e shoqërimeve për të mitur janë konstatuar korrigjime në emrat dhe oraret, ndërsa psikologia figuron në regjistër si prezente në komisariat, ndonëse ajo e ka takuar të miturin vetëm në spital.

KShH e konsideron këtë një rast të shkeljes së të drejtave të fëmijës, duke theksuar se të miturit nuk iu ofrua ndihma e domosdoshme mjekësore dhe psikologjike, në kundërshtim me legjislacionin penal dhe procedural për të miturit.

Prindërit e J.G kanë depozituar një kallëzim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës. Komiteti i Helsinkit i bën thirrje autoriteteve që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet dhe ta hetojnë me përparësi për të siguruar drejtësi dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Të fundit