Flash News

E-TJERA

Diaspora për Shqipërinë e Lirë i drejtohet BE-së me dy letra mbi ligjin “Për Barazinë Gjinore”

Diaspora për Shqipërinë e Lirë i drejtohet BE-së me dy

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) ka dorëzuar dy letra zyrtare—njërën në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë dhe tjetrën në Komisionin Europian në Bruksel—ku kërkon sqarim të prerë mbi deklaratat publike të bëra nga zyrtarë të BE-së lidhur me ligjin e ri “Për Barazinë Gjinore” të propozuar në Shqipëri.

Sipas DPSHL, gjatë debatit publik dhe parlamentar mbi këtë ligj, disa deklarata të përfaqësuesve të BE-së, përfshirë Komisioneren Marta Kos dhe Ambasadorin Silvio Gonzato, janë interpretuar gjerësisht si pohime se ndryshimet e propozuara përbëjnë “detyrim të BE-së” dhe pjesë të “acquis”-it europian.

Kjo, sipas organizatës, ka krijuar perceptimin se Shqipëria është e detyruar të njohë një gamë të gjerë “identitetesh gjinore”, të pranojë vetëdeklarimin si kriter për ndryshimin e gjinisë dhe të adoptojë koncepte të reja të gjinisë fluide për të ecur drejt integrimit.

DPSHL thekson se një interpretim i tillë nuk mbështetet në të drejtën europiane. Sipas tyre, direktivat e BE-së dhe jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së e përcaktojnë qartë se rregullimi i njohjes së gjinisë dhe çështjet e gjendjes civile mbeten kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare.

Në të dyja komunikimet zyrtare, DPSHL i ka kërkuar Komisionit Europian dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë që:
- Të japin një qartësim të shkruar se çfarë kërkon dhe çfarë nuk kërkon e drejta europiane në fushën e barazisë gjinore.
- Të ripohojnë se gjinia, gjendja civile dhe e drejta familjare mbeten kompetencë kombëtare, jo kërkesë e BE-së.
- Të rishikojnë deklaratat publike të bëra nga zyrtarët e tyre, nëse ato ishin në përputhje me parimet e neutralitetit, saktësisë dhe transparencës.
- Të korrigjojnë publikisht, nëse është e nevojshme, keqinterpretimet që janë përhapur në Shqipëri.
- Të garantojnë që DG NEAR dhe Delegacionet e BE-së ruajnë neutralitet institucional në vendet kandidate në çështje të ndjeshme dhe të diskutueshme shoqërore.

Të fundit