Flash News

E-TJERA

'Die Presse': Call center-at në Shqipëri zhvatën mbi 50 milionë euro

'Die Presse': Call center-at në Shqipëri zhvatën mbi 50

Zyra e Prokurorit për Krimet Ekonomike dhe Korrupsionin në Austri, së bashku me Zyrën Federale të Policisë Kriminale dhe autoritetet shqiptare, kanë zbuluar një skemë mashtrimi ndërkombëtar online me përmasa milionëshe, ku viktimat joshnin drejt investimeve fiktive përmes lajmeve të rreme që përfshinin figura të njohura publike.

Sipas autoriteteve, skema kriminale përdorte identitete të manipuluara të personazheve të famshëm për të krijuar besueshmëri dhe për të bindur qytetarët të investonin në platforma mashtruese, shkruan Die Presse.

Në kuadër të hetimit, i cili ka zgjatur rreth dy vite dhe është zhvilluar me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, janë çmontuar tre qendra telefonike (call-center) në Shqipëri. Deri tani janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa mes viktimave ka edhe shtetas austriakë.

Autoritetet bëjnë të ditur se dëmi i shkaktuar nga kjo skemë arrin të paktën në 50 milionë euro, ndërsa rreth 900 mijë euro janë arritur të rikuperohen deri më tani.

Në mashtrim janë përdorur pa autorizim edhe emrat e figurave të njohura, përfshirë Presidentin Federal të Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe prezantuesin e ORF, Armin Wolf, për të shtuar besueshmërinë e skemës dhe për të joshur viktimat drejt investimeve të rreme.

Të fundit