E-TJERA

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe propozohet të shpallet Festë Kombëtare

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe propozohet të shpallet
Foto Ilustruese

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi ishin pjesë e eventit “Një Gjuhë, Një Abetare”, ku nisën sot zyrtarisht punimet për një Abetare unike për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ministrja e Arsimit tha se duke nisur nga viti shkollor 2022-2023, teksti i Abetares do të jetë i njëjtë për të gjithë nxënësit shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Ndërsa në 110 vjetorin e Pavarësisë, Kushi tha se do të ketë një gjuhë të unifikuar për të gjithë fëmijët.

“Mendojmë që në kushtet e reja në të cilën ndodhemi, patjetër që një abetare e re do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të japë një kontribut më të rëndësishëm të brezave të ri. Kam bindjen që vendimi që morëm te Këshilli i Ministrave për të pasur një abetare unike, është vendimi i drejtë dhe i duhur, për të pasur të gjithë një start të barabartë dhe padyshim një qasje të barabartë. Jam e lumtur që iniciativa e kryeministrit, jo vetëm ka gjetur mbështetje të gjerë në Shqipëri, por jam e lumtur që dhe festa që ai i drejtoi qeverisë së Kosovës, gjeti gjithashtu miratim. Unë me homologen time në Kosovë kemi dakordësuar për të filluar shpejt nga puna për një komision të përbashkët që do të merret me të gjitha procedurat. E përsëris që kemi një përvojë të mirë në bashkëpunim me Kosovën. Vitin e ardhshëm, ne t’i dhurojmë vogëlushëve, një abetare të re të përbashkët, të unifikuar për të gjithë nxënësit. E ku ka më bukur, një komb, një gjuhë, një abetare”, tha Kushi.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla propozoi që data 22 Nëntor të shpallet festë kombëtare, si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Kam marrë nismën që 22 Nëntori dita Kombëtare e Alfabetit, të shpallet Festë Kombëtare”, tha Nikolla.

 

Të fundit