Flash News

E-TJERA

"Çdo datë 18 do protestojmë!"/ Babai i Martin Canit: Jemi në një gjendje të rënduar psikologjike, kërkojmë drejtësi për djalin tonë

"Çdo datë 18 do protestojmë!"/ Babai i Martin Canit:
Babai i 14-vjeçarit të ndjerë, Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka përsëritur thirrjen për drejtësi për ngjarjen e rëndë që i mori jetën të birit. Në një lidhje Skype në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, Ëngjëll Cani ka treguar se djali i vogël, Henri, nuk është ende në dijeni të humbjes tragjike të vëllait të tij.

"Jemi në një gjendje të rënduar psikologjike. Nusja është mbyllur në vetvete dhe kemi nevojë për ndihmën e një psikologu. Henri nuk e di ende që vëllai ka ndërruar jetë, sepse gjendja e tij shëndetësore mund të përkeqësohet," tha ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se Luisi, shoku i ngushtë i Martinit që mbeti i plagosur rëndë, është ende në një gjendje të tronditur pas disa muajsh nga ngjarja. "Luizi ka disa kohë që është kthyer nga Italia dhe po bën terapi, por është i trembur dhe nuk dihet nëse është kthyer në shkollë," shtoi ai.

Ëngjëll Cani ka theksuar se ata do të protestojnë çdo datë 18, duke theksuar që kauza e tyre nuk është politike. Ai ka shprehur pakënaqësinë për neglizhencën dhe mungesën e mbështetjes nga institucionet, përfshirë mësuesen dhe drejtoreshën e shkollës.

"Ne kërkojmë drejtësi dhe të mbrohen të gjithë fëmijët shqiptarë. Asnjë nuk ka ardhur të kërkojë falje, përveç vonesave që na lëndojnë shumë. Zoti është i madh, dhe kjo dhimbje që kam unë, nuk duhet ta provonte askush tjetër," përfundoi ai.

 

Të fundit