Flash News

E-TJERA

Draft-konkluzioni i BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet Asociacioni, Shqipërisë reforma elektorale

Draft-konkluzioni i BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miraton të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.

Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

Në raportin me draft-konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.

Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.

Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.

Lidhur me këtë, në draftin e konkluzave përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.

Sa i përket Shqipërisë, në draft-konkluza përmendet përparimi i rëndësishëm që është arritur nga ky vend në hapjen e të gjithë kapitujve të nevojshëm negociues për anëtarësim, ndonëse përparimi në mbylljen e tyre do ta përcaktojë drejtimin e gjithë procesit.

Këshilli mirëpret përparimin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa vendit i bëhet thirrje që ta përfundojë reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Edhe Mali i Zi lavdërohet për përparimin e rëndësishëm në kryerjen e reformave në rrugën drejt BE-së, duke përmendur hapjen e të gjithë 33 kapitujve dhe mbylljen e 12 prej tyre.

Ndër rekomandimet kryesore për këtë vend është që të punojë më tepër në sektorin e gjyqësorit, lirisë së shprehjes, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike.

Në kapitullin për Maqedoninë e Veriut, blloku evropian e mirëpret faktin që ky vend e ka ende synim integrimin evropian, mirëpo e përmend që ai nuk i ka kryer ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për të cilat ishte zotuar qysh në korrik të vitit 2022.

Ndër ndryshimet kryesore që i kërkohen Shkupit janë që ta njohë pakicën bullgare me Kushtetutë dhe t’ia njohë të drejtat këtij komuniteti.

Kur vjen radha te Serbia, këtij vendi i kërkohet që të reflektojë më shumë - si me vepra ashtu edhe me fjalë - sa u përket synimeve për integrim.

“Këtu përfshihet demonstrimi i vullnetit të fortë politik dhe konsistenca në zbatimin e reformave të BE-së, si dhe komunikimi objektiv me BE-në”, duke theksuar faktin që procesi i reformave është ngadalësuar dukshëm në muajt e fundit.

Serbia është e vetmja në rajonin e Ballkanit që nuk është në linjë me politikën e BE-së për t’i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë dhe Beogradi vazhdon të mbajë raporte miqësore me Kremlinin.

E, Bosnje-Hercegovinës i kërkohet që t’i ketë parasysh të gjitha rekomandimet që i janë bërë në të kaluarën dhe ky vend të bëjë më shumë punë në plotësimin e 14 prioriteteve që i kanë përcaktuar institucionet e BE-së për të qysh më 2019.

“Këshilli vëren që dinamika e reformave vazhdon të jetë e bllokuar dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të fokusohen në përparimin në rrugën drejt BE-së”, përmendet mes tjerash në raport.

Bosnja-Hercegovina e ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, ndërsa procesin e negociatave e ka nisur zyrtarisht më 2024./ REL

Të fundit