Flash News

E-TJERA

Drejtori i Emergjencave Civile tregon situatën e zjarreve në vend: 10 vatra ende aktive

Drejtori i Emergjencave Civile tregon situatën e zjarreve në vend: 10

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako ka treguar se si paraqitet situata me zjarret. 

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.

Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë. Forca Ajrore me efektivët dhe mjetet janë në gatishmëri të plotë.

“Vlerësojmë punën e bërë deri tani nga bashkitë e prekura nga zjarret dhe u kërkojmë të angazhohen maksimalisht, të informojnë publikun dhe komunitetin e rrezikuar, të sigurojnë funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre si dhe të informojnë në kohë Prefektin e

Qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatat e zjarreve. I ftojmë gjithashtu të bashkëpunojnë me bashkitë fqinje, duke angazhuar kapacitetet në përballimin e zjarreve. U kërkojmë autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret”, u shpreh Çako.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të vijojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sipas rastit.

Të fundit