Flash News

E-TJERA

Drejtuesi dhe anëtarët e rinj të AMA-s/ Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt letër Kuvendit, kërkon shtyrjen e zgjedhjeve

Drejtuesi dhe anëtarët e rinj të AMA-s/ Rrjeti i Gazetarëve

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, ku bëjnë pjesë mbi 8,200 anëtarë, përfshirë gazetarë nga Shqipëria i ka dërguar letër Parlamentit dhe organizmave ndërkombëtare si EU, OSCE dhe CoE për shqetësimet që ka lidhur me emërimet e reja në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt vepron në rastet e shkeljeve e të drejtave të gazetarëve, kur rrezikohet siguria e tyre dhe kufizimi i lirive të medias.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) thotë se mënyra e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të bordit të AMA-s mund të pengojë lirinë e medias në Shqipëri, nëse procedura finalizohet sikurse ka nisur.

Ata evidentojnë si shqetësim mungesën e pavarësisë dhe profesionalizmin e dy kandidaturave për kryetarin e AMA, të dy kriteret janë thelbësore për lirinë e medias dhe për proceset demokratike në Shqipëri. Gjithashtu evidentojnë mangësitë në procedurën e përzgjedhjes së tyre, pa konkurrencë dhe i kryer me nxitim nga Parlamenti.

"Ju kujtojmë që Kryetari i AMA-s dhe anëtarët e bordit duhet të jenë juridikisht jopartiak dhe politikisht të pavarur, ndërsa formulat ligjore për zgjedhjen e tyre u kanë dhënë shumicës dhe opozitës parlamentare të drejtën për të propozuar ose refuzuar kandidatin i cili garanton këtë pavarësi dhe diversitetin në përbërjen e Bordit të AMA-s me përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare. Me Parlamentin aktual, pa prezencën e opozitës së mirëfilltë, kjo nuk mund të garantohet", thuhet në letrën dërguar Parlamentit.

Rrjeti i Gazetarëve ka ngritur si shqetësim edhe ndryshimet në Ligjin e Mediave Audiovizive, të cilat u kundërshtuan nga shoqëria civile, organizatat e medias dhe rrjetet dhe shoqatat rajonale dhe ndërkombëtare të mediave, njëkohësisht u refuzuan nga Presidenti i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias në qershor të vitit 2020.

"Një vit pasi Komisioni i Venecias publikoi gjykimin e tij mbi këtë çështje, legjislacioni i sipërpërmendur ende nuk është ndryshuar për të përmbushur standardet e kërkuara dhe akoma renditet si në proces në regjistrin e Parlamentit Shqiptar, ndërsa Qeveria pretendon se është tërhequr", thuhet më tej.

Në këto kushte, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt i bën thirrje Parlamentit që të zhvillojë një garë të mirëfilltë për Kryetarin e AMA dhe që të sigurojë pavarësi dhe profesionalizëm. Gjithashtu kërkon që zgjedhjet për drejtuesit e ardhshëm të këtij autoriteti të shtyhen deri në konstituimin e Parlamentit të ri në shtator.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit