Flash News

E-TJERA

Dritë, lutje dhe shpresë/ Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën

Dritë, lutje dhe shpresë/ Besimtarët ortodoksë festojnë

Besimtarët ortodoksë në Shqipëri kanë kremtuar festën e Pashkës, duke marrë pjesë në meshën e shenjtë të Ngjalljes së Krishtit në kisha dhe katedrale në të gjithë vendin.

Kulmi i festimeve u shënua në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit, kur besimtarët u mblodhën për të ndjekur ceremoninë tradicionale, të shoqëruar me ndezjen e qirinjve dhe lutje për paqe, mirësi dhe shpresë.

Në Tiranë, mesha u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në këtë ceremoni solemne, duke përcjellë mesazhe besimi dhe reflektimi.

Gjatë fjalës së tij, Kryepeshkopi Joan theksoi sfidat shpirtërore të kohës moderne, duke u ndalur te fenomeni i indiferencës dhe boshllëkut shpirtëror në shoqëri.

“Në kohën që po jetojmë, po përballemi me një formë të re vdekjeje, mpirjen e indiferencës dhe tharjen shpirtërore të një shoqërie që ka zgjedhur të injorojë Perëndinë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, por ndihet më i vetmuar dhe i paplotësuar se kurrë”, u shpreh ai.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, ose pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas besimit të krishterë, kjo festë simbolizon kalimin nga vdekja në jetë, me ringjalljen e Jezu Krishtit.

Tradita e kësaj dite përfshin urimin “Krishti u ngjall”, çukitjen e vezëve të kuqe – simbol i gjakut të Krishtit dhe i jetës së re – si dhe shpërndarjen e dritës së shenjtë, që besimtarët e çojnë në shtëpitë e tyre si shenjë bekimi dhe drite.

 

Të fundit