Flash News

E-TJERA

Dueli Shqipëri–Serbi, biletat “fluturojnë”, çmimet arrijnë deri në 1500 euro në tregun e zi

Dueli Shqipëri–Serbi, biletat “fluturojnë”,

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ka krijuar një interes të jashtëzakonshëm. Kombëtarja shqiptare do të përballet me Serbinë të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare”, ndërkohë që kërkesat për bileta kanë kapërcyer shifrën rekord prej 200 mijë aplikimesh – përballë vetëm 22 mijë vendeve në stadium.

Ndërkohë, në platforma si “viagogo.com”, biletat kanë dalë tashmë për rishitje me çmime që variojnë nga 180 deri në 1500 euro, në varësi të sektorit. Dy bileta në sektorin VIP W104 janë aktualisht në shitje për nga 1500 euro secila. Kjo hedh poshtë argumentin e FSHF-së për biletat e personalizuara dhe të lidhura me emra konkretë, pasi duket se shumë prej tyre janë rishitur lehtësisht online.

Ndryshe nga praktikat e mëparshme, Federata Shqiptare e Futbollit këtë herë vendosi të hapte një aplikim publik dhe më pas të përzgjidhte fituesit përmes një shorti elektronik “të rastësishëm”. Mirëpo kjo formulë ka shkaktuar kaos, duke detyruar FSHF-në që të shtyjë me dy ditë procesin e përzgjedhjes, i cili përfundon më 4 qershor.

Ndërkohë, tifozët dhe qytetarët që nuk siguruan dot bileta përmes kanalit zyrtar, janë të zhgënjyer dhe të detyruar t’u drejtohen faqeve të rishitjes, ku çmimet janë jashtë mundësive të shumicës.

Të fundit