Flash News

E-TJERA

Dumani zbulon mangësitë e shtetit: SPAK ka ngrirë 11 milionë euro në kriptovaluta, por s’ka as portofol për t’i ruajtur

Dumani zbulon mangësitë e shtetit: SPAK ka ngrirë 11 milionë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar , Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve, vuri në dukje se një nga sfidat më komplekse të hetimeve është gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive të fshehura përmes kriptovalutave.

Sipas Dumanit, kriptomonedhat po përdoren gjithnjë e më shumë si mjet për pastrimin e parave dhe fshehjen e fitimeve të grupeve kriminale, çka po e vështirëson ndjeshëm punën e hetuesve. Ai solli një rast konkret, kur hetuesit e SPAK u përballën me pengesa teknike për shkak të mungesës së një infrastrukture ligjore të përshtatshme, duke u detyruar të kërkojnë ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kemi bllokuar dhe sekuestruar 11 milionë euro në kriptovaluta, por u përballëm me vështirësi sepse Shqipëria ende nuk ka një portofol të posaçëm për ruajtjen e tyre. U bazuam te ndihma e një vendi të Bashkimit Europian që na ofroi bashkëpunim, gjithçka brenda kuadrit ligjor. Megjithatë, kjo situatë tregon se duhen ndryshime ligjore që të shmangim pengesa të tilla në të ardhmen,” deklaroi Dumani.

Dumani shtoi se nevojiten ndryshime të tjera ligjore që lidhen me ndarjen e aseteve të sekuestruara nga aktivitetet kriminale ndërkufitare, pasi disa shtete të huaja kanë kërkuar pjesë në pasuritë e konfiskuara në Shqipëri.

“Ka ardhur koha që, me ndihmën e ekzekutivit, të hartohet kuadri ligjor për ndarjen e pasurive të konfiskuara me shtetet ku është zhvilluar aktiviteti kriminal. Dy shtete na kanë bërë tashmë kërkesa zyrtare për këtë. Një pjesë e këtyre pasurive vjen në Shqipëri përmes personave pa asnjë precedent penal këtu, por me lidhje të drejtpërdrejta me grupet kriminale jashtë vendit,”  theksoi ai.

 

Të fundit