Flash News

E-TJERA

Dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pro lirimit të Fredi Belerit, zbardhet vendimi

Dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pro lirimit të Fredi

Dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë pro lirimit nga qelia të Fredi Belerit,  kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

Këtë qëndrim kanë mbajtur Marsida Xhaferrllari dhe Sonila Bejtja në vendimin e 21 marsit në trupën e përbërë nga 9 anëtarë.

Në verdiktin e zbardhur, anëtarët e pakicës arsyetojnë se Kushtetuesja duhet të vlerësonte çështjen jo vetëm në rrethanat e procedimit penal ndaj Belerit, por edhe funksionit kushtetues që ai pritej të ushtronte.

Kriteret kushtetuese për kontrollin e çështjes duhet të ishin identifikuar sidomos nga perspektiva e kërkesave për funksionimin e përshtatshëm të Bashkisë Himarë, ku kërkuesi pritet të marrë pozicionin e kryetarit, institucion i cili është pjesë e sistemit kushtetues demokratik të vendit.

Është fakt se për shkak të kufizimit të lirisë personale të kërkuesit Bashkia Himarë edhe sot është ende pa kryetar, duke sjellë në këtë mënyrë edhe deficit të legjitimitetit demokratik, pra deformim të vullnetit të qytetarëve që kanë votuar”, thuhet në vendim.

“Caktimi i masës së sigurimit të arrestit në burg dy ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet vendore dhe vazhdimi i kësaj mase, që e ka penguar atë në fakt të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë, si pasojë e prezumimit të korrupsionit në zgjedhje, duhej vlerësuar arbitrare për shkak të mungesës së garancive të mjaftueshme procedurale.

Për rrjedhojë, vlerësojmë se pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë personale dhe së drejtës për t’u zgjedhur, në raport me parimin e proporcionalitetit, të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit gjyqësor është i bazuar”, thuhet ndër të tjera.

 

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. 

Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jordgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.

 

 

 

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit