Flash News

E-TJERA

Dy gra kanosin në zyrë prokuroren e Sarandës

Dy gra kanosin në zyrë prokuroren e Sarandës

Një prokurore në Sarandë është kanosur ditën e sotme brenda zyrës së saj nga dy shtetase, të cilat kanë kërkuar takim me të në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Sipas BalkanWeb, ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës, kur të dyja shtetaset, ende të paidentifikuara zyrtarisht, janë paraqitur në prokurori duke shprehur pakënaqësi për vendimin e dhënë nga prokurorja në lidhje me një çështje penale që përfshin një të mitur. Sipas të dhënave paraprake, ato janë të afërme të viktimës së një vepre penale të ndodhur pak ditë më parë në Sarandë, ndërsa prokurorja kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për autorin e dyshuar.

Të dyja gratë, që nuk kanë qenë dakord me këtë vendim, dyshohet se kanë fyer dhe kanosur prokuroren gjatë takimit, brenda ambienteve të institucionit. Menjëherë pas njoftimit për incidentin, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët kanë shoqëruar shtetaset për në ambientet e policisë, ku janë marrë në pyetje si persona me dijeni.

Për shkak të konfliktit të interesit, çështja i është kaluar për ndjekje Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila ka nisur hetimet për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”, e parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.

Të fundit