Flash News

E-TJERA

Dyshohet se ndihmoi autorin, arrestohet shoku i Habib Rexhës

Dyshohet se ndihmoi autorin, arrestohet shoku i Habib Rexhës

Policia ka arrestuar shokun e Habib Rexhës, autori i vrasjes së Arian Gosës i cili u vetëdorëzua dje.

Ervis Kurti dyshohet se ka ndihmuar Rexhën të kryejë vrasjen e Gosës. Kurti u shoqërua pasditen e djeshme nga efektivët, ndërsa i është komunikuar gjatë natës masa e arrestit nën akuzë për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”.

Rexha ka dëshmuar para bluve se e vrau Gosën nga gjaknxehtësia. Ai ka pohuar se bashkë me shokun janë larguar nga Durrësi drejt Kukësit, por mohon që Kurti të ketë pasur dijeni për ngjarjen.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 21.05.2023, në një lokal, ku mbeti i vrarë një shtetas, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë ndaluar shtetasin E. K., 29 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar autorin e vrasjes, shtetasin H. R. (i ndaluar ditën e djeshme) që të largohej nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, duke e marrë në automjetin e tij.

Automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur vendin e armës së përdorur nga autori për vrasjen e shtetasit A. G., dhe po punojnë për nxjerrjen e saj.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Të fundit