Flash News

E-TJERA

Dyshohet se vrau një ukrainas në Itali, shqiptari shpallet në kërkim në Zvicër

Dyshohet se vrau një ukrainas në Itali, shqiptari shpallet në

Një 40-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane dhe italiane, pasi dyshohet se ka vrarë një shtetas ukrainas në qytetin verior italian të Saronno.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, ku shqiptari me precedentë të mëparshëm penal për drogë, grabitje dhe vrasje të mbetur në tentativë, dyshohet se ka qëlluar dy herë viktimën, një ukrainas 46-vjeçar, pas një debati të çastit.

Policia italiane raporton se autori dhe viktima, i cili ishte pa adresë të përhershme, nuk njiheshin më parë. Sipas hetuesve, debati i papritur ka përshkallëzuar në dhunë, duke shtyrë shqiptarin të përdorte armën e zjarrit ndaj viktimës.

Pas krimit, dyshohet se autori ka kaluar kufirin drejt Zvicrës përpara se të identifikohej. Kamerat e sigurisë së qytetit kanë qenë kyçe për identifikimin e tij dhe për rindërtimin e rrugës së arratisjes. Mediat raportojnë se ai mund të jetë strehuar aktualisht në kantonin e Ticinos në Zvicër.

I dyshuari kishte jetuar pa një vendbanim të përhershëm dhe qëndronte herë pas here në një ndërtesë të braktisur në Cairate. Kur policia kontrolloi vendin të hënën, shqiptari nuk u gjet atje, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë ende në arrati. Hetimet për gjurmimin dhe kapjen e tij po vazhdojnë.

Të fundit