Flash News

E-TJERA

“E kishte tagrin dhe nuk veproi”/ KLGJ u fsheh pas Prokurorisë, dokumentet për Gjokën mbeten sekrete

“E kishte tagrin dhe nuk veproi”/ KLGJ u fsheh pas Prokurorisë,

Kryedemokrati Sali Berisha i është drejtuar zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë për vënien në dispozicion të kopjes së plotë të dosjes administrative që lidhet me procedurat për verifikimin dhe kërkesën për deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistrates, gjyqtares Irena Gjoka (Maneku).

Kërkesa vjen pas vendimit të datës 30.01.2026, të publikuar në faqen zyrtare të KLGJ-së, ku është shqyrtuar kërkesa për verifikimin e kushteve të ushtrimit të mandatit të gjyqtares Gjoka.

 Sipas relacioneve të paraqitura në mbledhjen e transmetuar drejtpërdrejt, një nga palët kërkuese në këtë procedurë ka qenë edhe vetë Berisha.

Kërkesa për mbarimin e mandatit

Në shkresën zyrtare, Berisha kujton se më 9 maj 2025 ka depozituar pranë KLGJ kërkesën për “deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistratit” për gjyqtaren Irena Gjoka, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në përgjigjen e datës 14 maj 2025, KLGJ ka njoftuar se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë rezultatet e hetimit të deriatëhershëm. Sipas kërkesës së Berishës, KLGJ nuk ka njoftuar më tej nëse është marrë përgjigje nga Prokuroria.

Në vijim , Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së ka sqaruar se verifikimi i shkaqeve të pazgjedhshmërisë për një magjistrat kryhet në përputhje me ligjin nr. 96/2016, ndërsa për verifikimet jashtë territorit të Shqipërisë organ kompetent është Prokuroria e Përgjithshme.

Berisha ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke argumentuar se sipas Kushtetutës dhe ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, KLGJ është autoriteti kompetent për garantimin e përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor dhe ka të drejtën të kërkojë informacion nga çdo subjekt fizik apo juridik.

Dokumentet që lidhen me verifikimin e figurës së gjyqtares Irena Gjoka vijojnë të mos bëhen publike, ndonëse ligji nr. 138/2015 për dekriminalizimin, sipas tij, detyron publikimin e këtyre të dhënave dhe nuk i konsideron ato si të dhëna të mbrojtura në mënyrë të posaçme.

Ai thekson se kërkesa për kopjen e dosjes është e përsëritur, pasi një kërkesë e mëparshme e paraqitur më 23.01.2026 nuk ka marrë përgjigje brenda afatit 5-ditor të parashikuar nga Kodi i Procedurave Administrative.

Në kërkesën e fundit, Berisha kërkon:

Dosjen e plotë administrative të KLGJ-së lidhur me këtë procedurë;

Procesverbalin e mbledhjes së 30 janarit 2026;

Relacionin e anëtarëve të KLGJ-së;

Relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme;

Çdo akt apo shkresë të krijuar në kuadër të këtij procesi.

 Referencat ligjore

Në shkresë, Berisha i referohet neneve 33, 38, 45 dhe 49 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, si dhe neneve 5 dhe 8 të ligjit nr. 138/2015 për dekriminalizimin, duke argumentuar se informacionet e detyruara për deklarim nga funksionarët publikë, përfshirë gjyqtarët, nuk përbëjnë të dhëna të mbrojtura dhe duhet të jenë publike.

Po ashtu, kërkohet që kopjet e akteve të jenë të njësuara me origjinalin dhe autorizohet avokati Genc Gjokutaj për tërheqjen e dokumentacionit.

Çështja pritet të marrë zhvillime të mëtejshme, ndërsa mbetet për t’u parë nëse KLGJ do të vërë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar brenda afateve ligjore.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit