Flash News

E-TJERA

“E qëllova nga pas, tre herë”/ Artan Tafani rrëfen vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë

“E qëllova nga pas, tre herë”/ Artan Tafani rrëfen
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar sot dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtor i drejtësisë në çështjen kundër grupit kriminal të Laert Haxhiut. Gjatë seancës, Tafani rrëfeu në detaje momentin e ekzekutimit të Çajup Selimit, ngjarje e ndodhur në Tepelenë.

Sipas dëshmisë së tij, atentati ka ndodhur në hyrje të pallatit ku banonte viktima. “Pasi arrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Dëgjova një makinë që m’u duk si e tija, një Benz. Ishim ballë për ballë. Mbaja maskë COVID-i dhe një kapele. Ai më pa me dyshim,” tregoi Tafani.

Më tej, ai shpjegoi momentin e sulmit: U fut në hyrje dhe nisi të ngjitej nëpër shkallë, në katin e parë dhe më pas të dytin. E ndoqa nga pas. Ishte tullac dhe e njihja mirë, madje edhe çfarë kishte veshur – një bluzë të kuqe. E qëllova nga pas, tre herë. Një herë në shpatull dhe dy herë të tjera – nuk jam i sigurt ku e kapën plumbat.”

Pas krimit, Tafani u largua me vrap nga vendngjarja në drejtim të Burgut të Bënçës. Ai tregon se gjatë arratisë hasi në vështirësi, por arriti të ruante armën me të cilën kreu vrasjen.

“Rashë në ca ferra jashtë qytetit. Armën e kisha ende me vete – një Beretta e vogël, me silenciator. Po kërkoja rrugicën që më nxirrte në lumin Vjosë, ku sipas planit, do më priste Ligori,” tha ai.

Dëshmia e plotë e Tafanit pritet të përdoret nga Prokuroria për zbardhjen e veprimtarisë së grupit kriminal që drejtohej nga Laert Haxhiu dhe për lidhjen e tij me vrasje të tjera të ndodhura vitet e fundit.

Të fundit