Flash News

E-TJERA

E vetmja grua në garë për SPAK, Doloreza Musabelliu shpalos platformën: Askush nuk qëndron mbi ligjin

E vetmja grua në garë për SPAK, Doloreza Musabelliu shpalos

E vetmja kandidate grua për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Doloreza Musabelliu, ka prezantuar para Këshillit të Lartë të Prokurorisë platformën e saj, duke theksuar angazhimin për hetime të ndershme dhe të pavarura, rritje të transparencës dhe standardeve profesionale.

Musabelliu vuri në dukje rëndësinë e një marrëdhënieje transparente me mediat, duke ruajtur sekretin hetimor dhe integritetin e institucionit. Ajo theksoi se çdo funksionar, pavarësisht detyrës apo statusit, duhet të zbatojë ligjin njësoj, duke e konsideruar këtë si thelbin e procesit të rregullt ligjor dhe të shtetit të së drejtës.

“Gjatë ushtrimit, kam hetuar çështje me ndjeshmëri dhe vëmendje të lartë publike, ku media ka luajtur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e çështjeve të rëndësishme. Kam respektuar gjithmonë integritetin hetimor, duke vendosur balancë midis sekretit hetimor dhe të drejtës për informim. Në ushtrimin e funksionit si drejtues i SPAK, e konsideroj thelbësore ndërtimin e një marrëdhënieje transparente me mediat, duke garantuar një informim të drejtë, profesional dhe pa cënuar integritetin e sekretit hetimor dhe reputacionin e institucionit.

Hetimi i çështjeve penale që përfshijnë funksionarë të sistemit të drejtësisë tregon një besueshmëri profesionale, dëshmon për menaxhimin e çështjeve të ndjeshme dhe angazhim të palëkundur ndaj parimit të barazisë para ligjit. Dëshmon balancën, vendosmërinë në hetim dhe mbi ndjeshmërinë që kërkon trajtimi i rasteve të tilla që prekin vetë sistemin e drejtësisë. Këto çështje reflektojnë bindjen profesionale se asnjë funksionar publik pavarësisht detyrës apo statusit nuk qëndron mbi ligjin dhe se zbatimi i barabartë i ligjit është themeli mbi të cilin ndërtohet procesi i rregullt ligjor dhe shteti i së drejtës”, tha ajo.

Të fundit