Flash News

E-TJERA

Ecuria dhe prioritetet e kombëtares për 2022-shin, a do jetë viti i fundit për Rejën?

Ecuria dhe prioritetet e kombëtares për 2022-shin, a do jetë viti

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka treguar në intervistën e tij të parë për vitin 2022, ecurinë dhe prioritetet për ekipin e kuqezinjve.

Reja ka vlerësuar formën e ekipit përgjatë ndeshjeve të vitit 2021, me skuadra si Polonia dhe Hungaria, teksa shton se objektivat ndaj skuadrave të mëdha si Anglia dhe Franca, janë ende shumë larg.

"Unë mund t’i jap një notë 10-të stafit tim, sepse po bëjmë një punë shumë të mirë me ekipet zinxhire të kombëtares duke filluar me përzgjedhje lojtarësh që nga mosha 12-13 vjeç. Ndërsa sa i përket lojtarëve dhe skuadrës mund t’i japë një notë 8. Jemi një ekip kompetitiv me skuadra si Polonia apo Hungaria sepse për skuadra si Franca apo Anglia që luajnë në nivele shumë të larta dhe për objektiva madhor nuk jemi ende", tha Reja.

Çështja e Armando Brojës ka qenë jo pak e diskutuar përgjatë vitit që lamë pas. Reja, pyetur për talentin e ri të kuqezinjve, tha se do të ishte më mirë të mos flitej shumë për të, duke theksuar se ai duhet të jetë më shumë i vlefshëm për grupin.

"Bëjmë shumë keq që merremi me këtë gjë. Ai është një djal që duhet të rritet, ta lëm të qetë dhe të flasim sa më pak për të, jo për kualitetet se për ato kemi folur shpesh herë. Unë flas gjithmonë për kolektivin, ai duhet të bëhet pjesë e këtij grupi dhe të jetë në sintoni me ta. Duhet të bëhet i dashur për grupin për sjelljet që ka dhe mbi të gjitha për mentalitetin. Broja duhet të jetë i vlefshëm për grupin, të bëjë gjithçka për të qenë aty si bëjnë të tjerët. Ai duhet të jetë njësoj si të tjerët për sjelljen dhe veprimet dhe kjo është dëshira ime për 2022", deklaroi Reja.

I pyetur nëse viti 2022, do të jetë viti i tij i fundit nën drejtimin e kuqezinjve, Reja u shpreh se trajnerët jetojnë përgjithësisht me momentin, pavarësisht rasteve specifike kur kjo ndryshon.

"Unë jam pak i madh me moshë, por derisa kam energjinë, entuziazmin dhe jam i kthjellët mund të them se po shkojmë mirë. Objektivi është që të kualifikohemi në Europian por në futboll mund të ketë shumë të papritura. Për momentin jemi të qartë, por për vazhdimin të shohim. Ne trajnerët jetojmë me momentin dhe entuziazmin, por ka shumë raste që ndryshohen menjëherë trajnerët, kjo është jeta jonë profesioni jonë", tha Reja.

Të fundit