Flash News

E-TJERA

Edi Rama nuk mund të sillet si kujdestari i Drejtësisë

Edi Rama nuk mund të sillet si kujdestari i Drejtësisë

Nga Genc Burimi

Paralelisht me debatet e ashpra sot në parlament, shqiptarët shikonin një tjetër “live” surrealist: Edi Rama, jo si Kryeministër por si mbret shfaqej në qendër të një tryeze të madhe katrore ku kishte rreshtuar kokat më të larta të drejtësisë që i trajtonte si lypsarë që kishin ardhur të kërkonin me dorë në zemër ndërtimin e një ndërtese Poli Drejtësisë në Tiranë. Shikoje atë skenë vasaliteti të detyruar dhe të vinte turp për demokracinë shqiptare sesi një Kryeministër i cili mund të jetë ai vetë nesër për të dhënë llogari para drejtësisë, e vendoste këtë të fundit publikisht në një pozitë inferiore dhe shantazhimi. “Jua ndërtoj ndërtesën” u thoshte Rama sikur t’i kishte paratë e veta, por  - 1. Jo para pesë vitesh, 2. Mos kërkoni fonde për shtesë rroge dhe për rekrutime shtesë në personelin e drejtësisë.

Në një moment, në mënyrë halucinante, Rama u tregon kokave më të larta të drejtësisë shqiptare që e dëgjonin kokulur sikur të ishte asamble e PS-së, një barsoletë me kinezë! Po, po , në televizionet shqiptare këtë të enjte 12 shkurt, shihje, pashë, live Kryeministrin në mbledhjen më solemne të Republikës së Shqipërisë, midis Shtetit dhe Drejtësisë ku Edi Rama tregonte  një barsoletë se kur vdiq Mao Ce Dungu mblidheshin punëtorët e oborreve të kombinateve kineze, drejtorët prisnin udhëzime çfarë duhet të bënin dhe byroja politike kineze u thoshte bëni atë që dini të bëni, prisni.

Kështu dhe ju, Drejtësia, u thoshte në fund të barsoletës Rama kokave më të larta të drejtësisë shqiptare me fytyra të çakërdisura nga ç’dëgjonin nga goja e Kryeministrit, edhe ju duhet të prisni, ose më mirë të më prisni. Nuk mund t’jua ndërtoj Polin e drejtësisë para 5 vjetësh u fliste Rama si personazhi i  kujdestarit të mensa e brefotrofit në filmin “Lulëkuqe mbi Mure” . Patetike! A ka situatë më të turpshme për një demokraci ku Ekzekutivi poshtëron në këtë farë derexheje drejtësinë, publikisht para kamerave. Jo vetëm që pesë vjet është shumë sepse për aq kohë u rindërtua kryevepra botërore si Notre Dame i Parisit, jo vetëm se gjatë kësaj kohe përtej drejtësisë në Kryeqytet është Drejtësia në të gjithë Shqipërinë që ka nevojë urgjente për zyra dhe ambiente dinjitoze ku të punojë dhe të bëjë drejtësi, por,  përfaqësues të Opozitës parlamentare duhet të jenë pjesë të tryezës për mjetet që i alokohen drejtësisë. Sepse drejtësia financohet nga i gjithë populli, edhe ai opozitar, dhe nuk është financim personal i Edi Ramës që u soll padenjësisht si mbreti që shpërndan lëmosha sipas humorit të tij të ditës dhe sjelljes së plebenjve të tij. Opozita e bashkuar të dalë me qëndrim të bashkuar se me të :

1. Qendra drejtësie do ngrihen jo vetëm në Tirane por në të gjithë Shqipërinë siç e kërkuan sot përfaqësuesit më të lartë të drejtësisë

2. Në këtë situate urgjence absolute ku ndodhet drejtësia për të kryer misionin e saj kushtetues, ndërtimet do të bëhen për dy vjet dhe jo për një pesë vjeçar duke pritur mandatin tjetër që duket sikur Kryeministri ja kërkon në formë shkëmbimi apo shantazhi edhe Drejtësisë.

Në 2016 kur z. Rama mburret se bëri drejtësinë e re , nuk e mendoi ai se me ç’mjete do punonte drejtësia e re dhe zgjohet tani pas10 vitesh për të thënë se i duhen pesë vite të tjera ? Të qeverisësh është të parashikosh 

3. Opozita të premtojë se me atë në pushtet, kurrë nuk do personalizohen negociatat Shtet - Drejtësi me figurën e Mbretit Kryeministër siç e bën sot Edi Rama. Sa herë do të diskutohet me drejtësinë për investimet në Drejtësi do jetë një komision i përbashkët  Mazhorancë – Opozitë - Ekspertë nga shoqëria civile që do të ngrihet enkas dhe do të flasë në emer të të gjithë shqiptarëve.

Fatet e drejtësisë së një Kombi nuk mund të lihen në duart ekskluzive të një personi!

 

Të fundit