Flash News

E-TJERA

Ekonomia rritet, por FMN kritikon qeverinë: "Paqja Fiskale" rrezikon reformat tatimore

Ekonomia rritet, por FMN kritikon qeverinë: "Paqja Fiskale"

Shqipëria po shfaqet si një nga ekonomitë me performancën më të fortë në Evropë, me rritje të qëndrueshme ekonomike, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva valutore të forta, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundim të Konsultimit të Artikullit IV për vitin 2025.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike pritet të mbetet e fortë në 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në vitin 2026, e nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe sektori i turizmit, i cili ka çuar prodhimin ekonomik përtej nivelit para pandemisë.

Ndërsa vlerëson rritjen e fortë ekonomike dhe uljen e borxhit publik, Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh kritika të drejtpërdrejta ndaj një nisme të qeverisë shqiptare. Konkretisht, FMN paralajmëron se marrëveshja e “Paqes Fiskale”, e cila parashikon anulimin e borxhit dhe rivlerësimin preferencial të pasqyrave financiare, mund të ketë pasoja negative për reformat fiskale.

Sipas raportit, kjo nismë “rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore”, duke cenuar përpjekjet për forcimin e disiplinës fiskale dhe luftën kundër evazionit.

FMN vlerëson se Shqipëria është relativisht e mbrojtur nga goditjet e jashtme, me efekte minimale direkte nga tarifat tregtare të SHBA-së dhe ndikime të kufizuara nga pasiguria globale. Megjithatë, paralajmërohen rreziqe nga tensionet gjeopolitike, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare dhe rënia e popullsisë në moshë pune, të cilat mund të ndikojnë në rritjen afatmesme.

Në raport theksohet se qeveria shqiptare po avancon reforma të guximshme për të përshpejtuar integrimin evropian, me objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. FMN nënvizon se zbatimi i qëndrueshëm i reformave strukturore në kapitalin njerëzor, tregun e punës, qeverisje dhe klimën e biznesit është kyç për rritjen e produktivitetit dhe afrimin e të ardhurave për frymë me mesataren e BE-së.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe luftës kundër korrupsionit, ku FMN thekson se forcimi i legjislacionit parandalues dhe mbrojtja e pavarësisë operacionale të SPAK janë thelbësore për qëndrueshmërinë e reformave. Në tërësi, FMN e cilëson Shqipërinë si një ekonomi me bazë të fortë makroekonomike, por nënvizon se ruajtja e këtij ritmi do të varet nga thellimi i reformave dhe menaxhimi i kujdesshëm i rreziqeve të brendshme dhe të jashtme.

Të fundit