Flash News

E-TJERA

Eksportet në pikiatë, bien me 14.3% për 10 mujorin e parë të 2024

Eksportet në pikiatë, bien me 14.3% për 10 mujorin e parë

Eksportet kanë vijuar me tendencën e tyre tkurrëse edhe në muajin tetor, duke bërë që për të gjithë mujorin ato të jenë 14.3% më të ulëta sesa një vit më parë.

Arsyet kryesore të kësaj tendence lidhen me rënien e euros që tkurr të ardhurat e eksportuesve, uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare si nga zhvlerësimi i euros ashtu dhe nga rritja e kostove si dhe konjuktura e pafavorshme e mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Në tetor, rënia u thellua sërish, pasi ishte ngadalësuar në shtator. Efektin kryesor në ecurinë negative të eksporteve në tetor e dha mbyllja e përkohshme e aktivitetit të prodhuesit të çelikut, Kurum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Tetor 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 31 mld lekë, duke u ulur me -15,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Trendi i u përkeqësua në raport me shtatorin, kur rënia ishte 8.5%.

Në gusht rënia ishte 18%, në korrik tkurrja ishte 12% dhe në qershor ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me -21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me- 29.2%.

Gjatë muajit Tetor 2024, në uljen e eksporteve prej -15,2 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje etj

Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë ulur me -14,3 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët nuk ndalin rënien

Në tetor eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 12%. Për 10 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 88.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.2% me bazë vjetore.

Industria po ndikohet negativisht nga rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.

Në kahun tjetër dhe kërkesa është ulur si rrjedhojë e ndryshimit të sjelljes konsumatorë në Europë nga kriza ekonomike.

Eksportuesit pohojnë se kanë pak shpresa për rikuperimin e aktivitetit si për rrjedhoje të uljes së aftësive konkurruese ashtu dhe kërkesës së dobët për veshje e këpucë në tregjet ndërkombëtare.

Minerale, lëndë djegëse vijojnë me rënie

Eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 15.4% në tetor. Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 10 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 61 miliardë lekë, me tkurrje 25.5%.

Materiale ndërtimi dhe metale, me rënie të thellë nga Kurum

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi me rënien më të fortë në tetor. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.

Në shtator ky grup ra thellë me 40%. Për 10 mujorin, sektori është me një rënie prej 12%. Në gusht Kurum njoftoi se kishte ndërprerë aktivitetin për shkak të konjukturës së pafavorshme të çmimeve.

Ushqime pije e duhan i kthehen sërish rënies

“Ushqime pije e duhan”, ranë sërish lehtë në tetor, me 1.8%, pasi ishin rritur me 5.4% në shtator. Për 10 mujorin, ky grup ka rënë me -7.1%.

Eksportuesit pohojnë se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.

Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore

Në tetor eksportet në këtë grup ranë me 1%, pasi ishin rritur me 4.2% për shtatorin. Për 10 mujorin tkurrja është 5.3%.

Përfaqësues të kompanive automotive që prodhojnë fasoneri të thjeshtë në vendin tonë pohojnë se ka një rënie të kërkesës apo shitjeve për shkak të situatës së përgjithshme në tregun e automobilave në Europë. Sipas tyre kompanitë e mëdha europiane si Stellantis, Renault Group, Volkswagen kanë reflektuar rënie kërkese. Një faktor tjetër është edhe rritja e ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze.

Rënia e eksporteve dhe rritja e importeve po ndikojnë në thellimin e deficitit tregtar.

Sipas INSTAT, Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 317 mld lekë, duke u ulur me -14,3 %, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 743 mld lekë, duke u rritur me 2,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 426 mld lekë, duke u rritur me 18,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023. Si rrjedhojë për 10 mujorin 2024, kanë dalë nga vendi neto rreth 4.3 miliardë euro për financimin e importeve.

Si dhjetëmujor, importet janë rritur me 2,0 %, krahasuar me dhjetëmujorin e parë 2023. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,7 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre“ me -0,3 pikë përqindje.

Në muajin Tetor 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2023 janë: Kosova (24,0 %), Italia (13,6 %), Spanjë (4,7 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë:Greqia (12,3 %), Gjermania (11,4 %).

Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahas im me një vit më parë, janë: Greqia (20,2 %), Italia (14,2 %), Kosova (8,5 %), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksport et kanë pasur rritjen më të madhe, është: SHBA (68,3 %), Kina (16,8 %), etj.

Në muajin Tetor 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Maqedonia Veriut (17,6 %), Italia (3,4 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2023 janë: Greqia (28,1 %), Turqia (6,6 %), Kina (2,7 %), etj.

Gjatë këtij dhjetëmujori , vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të import eve, në krahasim me një vit më parë, janë: Greqia (19,9 %), Turqia (16,3 %), Kina (0,2 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Maqedonia e Veriut (14,5 %), Italia (3,2 %), Spanja (2,0 %), etj./ Monitor.al

Të fundit