Flash News

E-TJERA

Ekzekutohet me armë zjarri 25-vjeçari shqiptar në Itali

Ekzekutohet me armë zjarri 25-vjeçari shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Montecalvolit, në komunën Santa Maria a Monte, në Itali.

Mediat italiane raportojnë se në orët e para të mëngjesit të së shtunës, u shënua një vrasje me armë zjarri. 

Viktima është Kevin Muharremi, 25 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Fucecchio, i cili u qëllua për vdekje me armë teksa ndodhej brenda një automjeti.

Atentati ndodhi rreth orës 05:30 në via della Repubblica, në qendër të zonës së banuar të Montecalvolit, përballë një bari dhe pranë selisë së Misericordia-s lokale. I riu po kthehej nga një mbrëmje me dy miq, kur automjetit me të cilin udhëtonin iu afrua një makinë tjetër. Nga kjo e fundit u qëllua të paktën tre herë me armë zjarri në drejtim të tyre. Një prej plumbave e goditi 25-vjeçarin në qafë, plagë që rezultoi fatale.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës mjekësore, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë Muharremin ishin të pasuksesshme. Dy miqtë që ndodheshin me të në makinë mbetën të padëmtuar fizikisht, por në gjendje shoku, dhe janë marrë në pyetje nga hetuesit.

Karabinierët kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetime të gjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi, nga larja e hesapeve deri te përfshirja e mundshme e viktimës në rrethana kriminale. 

Të fundit