Flash News

E-TJERA

"Ekzistojnë të gjitha arsyet për respekt të ndërsjelltë Athinë-Tiranë", Dendias tregon prioritetet e qeverisjes së Mitsotakis: Çështja e minoriteteve me Shqipërinë...

"Ekzistojnë të gjitha arsyet për respekt të
Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias; foto nga konferenca për shtyp në 20 Tetor 2020

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë një deklarate për mediat, ndalur tek çështjet të cilat kanë një rëndësi të madhe për Greqinë në marrëdhëniet me jashtë, ka thënë se “Greqia bazuar në të drejtën ndërkombëtare të detit, po përpiqet për caktimin e kufijve të rinj detar.”

“Së pari, me krijimin e një rrjeti shumë të gjerë të skemave dypalëshe, trepalëshe dhe shumëpalëshe, por edhe me zbatimin e strategjisë kombëtare për caktimin e kufijve të zonave tona detare, Greqia po provon në praktikë se ajo mund t’i zgjidhë problemet përmes zbatimit të ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ne kemi demarkuar shelfin tonë kontinental dhe Zonat tona Ekskluzive Ekonomike, së pari me Italinë, me Egjiptin dhe më pas me Shqipërinë, ku së fundmi kemi rënë dakord për t'ia referuar çështjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar të Detit.

Për sa kohë ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë pra, të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në këtë drejtim”, është shprehur Dendias, raporton faqa zyrtare e Ministrisë së Jashtme greke, mfa.gr.

Duke deklaruar se qeveria e Mitsotakis vepron në bazë të një modeli, në të cilin i jepet rëndësi edhe politikës së jashtme, Dendias thekson se në këtë model një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe çështjeve në Ballkanin Perëndimor. Sipas Dedias, rol parësor për Greqinë kanë çështja e minoriteteve me Shqipërinë, por edhe marrëveshja e Prespës me Maqedoninë e Veriut.

“Ne kemi marrë iniciativën për të promovuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, pas konferencës rajonale të Selanikut, dhe po punojmë jashtëzakonisht për të forcuar marrëdhëniet tona dypalëshe brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe me vendet e Ballkanit në tërësi.

Në të njëjtën kohë, duke përdorur me maturi mundësitë e ofruara, ne punojmë për të siguruar të drejtat e pakicës dhe pronës së Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri. Të drejtat, të cilat janë të vetëkuptueshme, në kontekstin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë, por edhe të miqësisë greko-shqiptare”, deklaroi Dendias teksa u ndal në çështjet e mbetura pezull me palën shqiptare.

Të fundit