Flash News

E-TJERA

Çelja e negociatave për Tiranën dhe Shkupin, REL: Bisedimet reale arrihen kur RMV të ndryshojë Kushtetutën

Çelja e negociatave për Tiranën dhe Shkupin, REL: Bisedimet

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 19 korrik hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se ky është moment historik dhe shtoi se të dyja shtetet kanë kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok.

“Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht përkushtim për vlerat tona, keni treguar këmbëngulje dhe keni pasur besim te procesi i anëtarësimit”, tha von der Leyen, gjatë një konference për media në Bruksel.

Hapja zyrtare e negociatave bëhet gjatë konferencës së parë ndërqeveritare midis BE-së dhe dy vendeve aspiruese, që mbahet të martën.

Në Bruksel, të pranishëm janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi përpjekjet e bëra nga presidenca paraprake e BE-së, e udhëhequr nga Franca, për zhbllokimin e bisedimeve për Tiranën dhe Shkupin.

"Propozimi francez shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde", tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pas 17 vjetësh të marrjes së statusit kandidat, sot po hapet një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij dhe shteti po i bashkohet BE-së.

“Ky ka qenë qëllimi ynë strategjik për vite me radhë”, tha ai në konferencën për media.

Kovaçevksi tha se arritja më e madhe për shtetin e tij, është se gjuha maqedonase do të jetë e barabartë mes gjuhëve të bllokut dhe kjo tha se u mundësua përmes propozimit francez.

“Ky propozim përkufizon gjuhën maqedonase, pa shtesa, shpjegime dhe fusnotë në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase që të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së, janë diçka që personalisht unë i shikoj si një nga arritjet më të mëdha”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministrin e Republikës së Çekisë, Petr Fiala, shteti i të cilit udhëheq me Presidencën e BE-së, tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda bllokut.

“Në Evropën e sotme, ne duhet të jemi bashkë gjithë kohën. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë. Ne kemi nderin që një përparim i tillë ndodh gjatë presidencës sonë”, tha ai.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Megjithatë, hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë.

Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005 dhe Shqipëria më 2014. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes./ REL

Të fundit