Flash News

E-TJERA

Emigrimi masiv/ Britania do t'i japë Shqipërisë miliona paund për të hapur vende pune, “The Telegraph” jep detaje

Emigrimi masiv/ Britania do t'i japë Shqipërisë miliona

Media britanike “The Telegraph” shkruan se Mbretëria e Bashkuar do të shpenzojë miliona paund për të frenuar emigrimin e paligjshëm të shqiptarëve. Prej muajsh, Britania ka ngritur shqetësimin e numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë.

Britania do të investojë në Shqipëri, në mënyrë që të rinjtë të mos largohen. Sipas “The Telegraph”, gati 9 milionë paund para do të përdoren për të zhvilluar rajonin rreth Hasit dhe qytetit të Kukësit, me shpresën për të penguar njerëzit të largohen.

Javën e kaluar, Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare organizoi një panair tregtar për të ndihmuar bizneset britanike të fitojnë kontrata për të ndihmuar në ndërtimin e digës së hidrocentralit të Skavicës, pranë Kukësit.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po financon gjithashtu projekte me vlerë miliona paund për të luftuar bandat e krimit të organizuar të shqiptarëve, kryesisht të atyre që punojnë në “shtëpi bari” në Angli. Kujtojmë se muajin e kaluar, Home Office ra dakord të financonte deri në 4 milionë paund për modernizimin e laboratorit kriminal të Shqipërisë për të rritur aftësinë e tij mjeko-ligjore.

Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion gjithashtu 2 milionë paund për rindërtimin e stacionit të policisë në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, i cili pranon kriminelë të huaj dhe të dyshuar të dëbuar nga Britania e Madhe.

Pas marrjes së gjurmëve të gishtërinjve, ata përballen me ndalime deri në tre vjet nga zona e udhëtimit Shengen në Evropë. Një deputet i lartë konservator tha se me shqiptarët që përbëjnë deri në 80 për qind të emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit vetëm në disa ditë, është jetike që qeveria të përdorë çdo levë për të realizuar kthimin e tyre.

“Nuk është për t'u habitur nëse kjo përfshin marrëveshje financiare,” tha deputeti.

Pra Britania po financon skema të mëdha për të krijuar vende pune në Shqipëri, kryesisht në veri të vendit, nga ku ndodh edhe largimi më i madh i të rinjve drejt MB. Lëvizja vjen teksa Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme dhe ministri i imigracionit Robert Jenrick kërkojnë të mbyllin rrugët për shqiptarët.

Këtë javë, Dan O'Mahoney, zyrtar i Forcave Kufitare tha se 12,000 shqiptarë kishin mbërritur në MB këtë vit, nga të cilët 10,000 ishin burra.

Të fundit