Flash News

E-TJERA

ERE s’ka çmim për energjinë e prodhuar, inceneratori i Elbasanit ‘fsheh’ kostot, Ministria nuk miraton kërkesën

ERE s’ka çmim për energjinë e prodhuar, inceneratori i

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka sqaruar se pse nuk mund të përcaktojë një çmim për energjinë e prodhuar nga aktiviteti i përpunimit dhe djegies së mbetjeve në tre inceneratorët e vendit.

ERE, referuar një vendim të vitit të kaluar, nënvizon se ka dy arsye pse nuk mund të përcaktohet një çmim për energjinë e prodhuar nga inceneratorët duke iu referuar impiantit në Elbasan, raporton Monitor.

Enti sqaron se “impianti për trajtimin e mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, nuk është objekt i rregullimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga ERE sipas përcaktimeve të nenit 10 të Ligjit Nr. 7/2017 “Pёr Nxitjen e Pёrdorimit tё Energjisё nga Burimet e Rinovueshme” dhe VKM Nr. 27, datë 17.01.2018 “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale”.

Së pari, ERE thekson se fuqia e instaluar e impiantit 2850 kW tejkalon kapacitetin prej 2 MW të përcaktuar me ligj.

“Ky qëndrim është mbështetur në faktin se fuqia e instaluar prej 2850 kW e impiantit të shoqërisë “Albtek Energy”sh.p.k., referuar licencës së dhënë nga ERE, është mbi kufirin prej 2 MW, të përcaktuar në nenin 10 të Ligjit Nr. 7/2017 “Pёr Nxitjen e Pёrdorimit tё Energjisё nga Burimet e Rinovueshme”, thuhet në raportin e ERE.

Enti shton se i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për miratimin e metodologjisë, në mënyrë që të vihet në zbatim vetëm për rastin specifik siç është impiantii përpunimit të mbetjeve në Elbasan.

Një kërkesë është adresuar edhe ndaj shoqërisë Albtek Energy shpk, së cilës i është kërkuar t’i vendosë ERE-s në dispozicion të dhënat e kostove faktike të ndërtimit, çka është bërë pengesë për vendosjen e çmimit të energjisë që prodhohet nga impianti. Të dhënat në fjalë, mund ta ndihmojnë ERE-n të përcaktojë çmimin.

Pavarësisht kërkesës së ERE, Albtek Energy shpk nuk ka paraqitur të dhëna të kostove faktike dhe nga ana e Ministrisë nuk është miratuar ende metodologjia e përcaktimit të çmimit, e parashikuar për rastin specifik.

“Deri më tani, nuk janë paraqitur në ERE të dhëna faktike mbi kostot e ndërtimit dhe operimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, në qytetin e Elbasanit, të shoqërisë Albtek Energy sh.p.k, si dhe ende nuk është miratuar një metodologji për llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale, e cila do të trajtonte rastin specifik të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k” sqaron ERE.

Të fundit