Flash News

E-TJERA

Çështja e detit/ Takimi i dështuar Rama-Mitsotaki, ‘Haga’ mbetet e vetmja alternativë

Çështja e detit/ Takimi i dështuar Rama-Mitsotaki,

Shqipëria dhe Greqia nuk ranë dakord për çështjen e kufijve detarë mes dy vendeve në takimin që zhvilluan dy kryeministrat dje në Pragë. Në prezantimin e Komunitetit Politik Evropian në Pragë u zhvilluan edhe takime biletarele.

Rama tha se gjatë takimit me Kyriakos Mitsotaki nuk u gjet konsensus dhe çështja do të kalojë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

“Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t'i respektojmë procedurat nga fillimi deri në fund sepse duhet ta bëjmë shumë të qartë qëndrimin tonë, se çfarë synojmë ne në këtë proces dhe ai qëndrim i unifikuar i kërkuar nga kjo gjykatë se çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra nuk kemi konsensus mes palëve”, tha Rama.

Pak informacion për çështjen e detit

Në tetor të 2020-ës, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur debatin mbi delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy shteteve fqinje. Lajmi u njoftua asokohe gjatë vizitës së Nikos Dendias në Tiranë.

Kundërshtitë mes palëve duket se janë shfaqur kur nisën negociatat për një marrëveshje lidhur me ndarjen e hapësirave detare në Detin Jon, në vitin 2018, që u pezulluan në verën e 2019-ës. 

Në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese (GJK) hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Konventa e të Drejtës së Detit, e miratuar në Montego Bay në vitin 1982, e ratifikuar nga të dyja vendet fqinje, u jep vendeve që e kanë ratifikuar të drejtën të zgjerojnë ujërat e tyre territoriale deri në 12 milje. Por vetëm, nëse këtë e lejojnë rrethanat gjeografike.  

Shqipëria dhe Greqia ndajnë në Detin Jon tri hapësira: Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zona Ekonomike Ekskluzive. Këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, si kërkimet për gaz, naftë etj. Për të tria këto hapësira dy vendet fqinje kanë interesa strategjike. 

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit e thotë qartë në 320 nenet e saj, se secili vend  ushtron “sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë, me koordinata detare, të vendosura në një hartë të dakordësuar dhe të shoqëruar me koordinata detare për 3 hapësirat.”

 

Të fundit