Flash News


E-TJERA

Çështja Gërdeci/ GJKKO vendos sot për "fatin" e Mediut, familja Durdaj letër gjykatës: Gjykoni ish-ministrin!

Çështja Gërdeci/ GJKKO vendos sot për "fatin" e

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vendosë sot nëse  do rinisë gjykimi ose jo për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen e "Gërdecit". Ai akuzohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima e qindra të plagosur.

Gjyqtar i kësaj çështjeje do të jetë Erjon Çela. Ditën e sotme familja Durdaj, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar nga shpërthimi i Gërdecit, i janë drejtuar me një letër GJKKO-së, ku i kërkojnë pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut.

Familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit. Ata kërkojnë që  gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete.

Familja Durdaj thekson se nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë bëhet pengesë për këtë gjykim, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu nënvizon se një shtet i së drejtës është ai që nuk pengon gjykimin e çdo zyrtari.

Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë mbi kërkesën e SPAK për të nisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ajo ia kaloi çështjen GjKKO-së me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Ndërkohë avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha, kohë më parë tha se mundësitë për ta rihapur çështjen janë zero sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës se Parë nuk mund të prishë një vendim të gjykatës së Lartë që në këtë rast është vendimi i pushimit të 2009.

Gjykata e Lartë kishte vendosur të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai kishte imunitet dhe prokuroria nuk kishte marrë autorizim.

Por ndryshimet ligjore të vitit 2012 dhe 2017 kanë ndryshuar imunitetin parlamentar të të zgjedhurve, ndaj ndjekjeve penale, hetimit apo gjykimit të tyre.

Mediu u akuzua në atë kohe për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec. Një nga familjarët, Zamira Durdaj, e cila humbi të birin, kallëzoi në SPAK ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë të 109 të të tjerëve.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit