Flash News

E-TJERA

Tërmetet në vend/ Sizmologu për Politiko: Lëkundjet do të vazhdojnë! Të monitorohet aktiviteti në vijim

Tërmetet në vend/ Sizmologu për Politiko: Lëkundjet do
Damiano Koxhaj

Tërmetet, që më shumë se prej 4 ditësh po godasin vendin tonë, kanë rikthyer vëmendjen tek rrezikshmëria sizmike dhe nevoja për përgatitje të vazhdueshme.

Që prej datës 24 qershor lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në Tiranë, Durrës, Krujë, Vlorë dhe Podgoricë, të cilat fatmirësisht nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha, por kanë ngritur shqetësime tek qytetarët.

Tërmetet e njëpasnjëshme me mbi 4 ballë të shkallës rihter kanë krijuar një ‘deja vu’ me tragjedinë e 26 nëntorit të 2019, por për sizmologët nuk ka vend për alarm.

Damiano Koxhaj nga Instituti Shqiptar i Sizmologjisë, i kontaktuar nga Politiko.al shprehet se pas tërmetit të 24 Qershorit i cili rezulton të jetë dhe më i forti kemi pasgoditje me trend ulës të magnitudës.

Koxhaj vlerëson se situata paraqitet e qetë por lëkundjet do të vazhdojnë dhe është e rëndësishme që aktiviteti sizmik të monitorohet në vijim.

“Vazhdojmë të kemi pasgoditje në një trend ulës të magnitudës, çfarë është një trend pozitiv qetësimi për tërmetin e datës 24 Qershor me magnitudë 4.4. Është e rëndësishme të monitorohet aktiviteti në vijim’,- shprehet Koxhaj.

Vetëm ditën e sotme sipas Institutit të Gjeoshkencave janë regjistruar mbi 10 goditje të njëpasnjëshme tërmeti me magnitudë të ulët.

Aktiviteti sizmik në vendin tonë nuk mund të parashikohet me saktësi, por mund të mësojmë se si të veprojmë në rast tërmeti.

Gjatë tërmetit

Qëndroni të qetë dhe mos u alarmoni.

Nëse jeni brenda: 

-Strehohuni poshtë një tavoline të fortë ose pranë një muri të brendshëm.
-Mos përdorni ashensorët.
-Largohuni nga dritaret, rafte librash dhe llambadarët.

Nëse jeni jashtë

-Qëndroni larg ndërtesave, pemëve, linjave elektrike dhe urave.
-Mos hyni në ndërtesa deri sa të jeni të sigurt.
-Nëse jeni në makinë: Parkoni në një zonë të hapur dhe shmangni urat ose tunelet.

/Përgatiti B.Z/

Të fundit