Flash News

E-TJERA

Falsifikimi i monedhave, Sejko: Sfidë për autoritetet, nevojitet më shumë vigjilencë

Falsifikimi i monedhave, Sejko: Sfidë për autoritetet, nevojitet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka folur për marrëveshjen me Bankën Qendrore Europiane për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi.

Gjatë një komunikimi për mediat, ai tha se fenomeni i falsifikimit të monedhave duhet të goditet në kohë.

Sipas tij, edhe pse ka rënie të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara, ky fenomen mbetet sfidë për autoritetet kompetente.

Sejko theksoi se nevojitet vigjilencë, pasi falsifikuesit po përdorin teknologji të avancuara.

“Parandalimi dhe mbrojtja e monedhave ndaj falsifikimit është një sfidë e përbashkët e të gjitha autoriteteve kompetente kombëtare. Prandaj, angazhimi i përbashkët dhe koordinimi i veprimtarisë mes tyre janë domosdoshmëri, të cilat synohen të arrihen nga kjo marrëveshje, e vlerësuar si mënyra e duhur dhe më efektive për parandalimin, zbulimin dhe goditjen në kohë të fenomenit të falsifikimit të monedhave në vendin tonë.

Si autoriteti i vetëm që emeton monedhën kombëtare, banka qendrore ka ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar falsifikimin dhe për të ruajtur besimin e publikut te monedha jonë, Leku. Në periudhën 2019 – 2022, Banka e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim serinë e re të kartëmonedhave shqiptare, prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.

Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë.

Pavarësisht shifrave të ulëta, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi më vigjilentë dhe proaktivë, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale”, tha ndër të tjera Sejko.

 

Të fundit