Flash News

E-TJERA

Falsifikuan kontratat e qiramarrjes, arrestohet ish-drejtori dhe ish-specialisti i Postës së Korçës; u ndalohet dalja jashtë vendit 7 punonjësve të tjerë

Falsifikuan kontratat e qiramarrjes, arrestohet ish-drejtori dhe ish-specialisti

Policia e Korçës ka ekzekutuar mëngjesin e sotëm një operacion masiv antikorrupsion duke arrestuar ish-drejtorin e Postës së Korçës, Valter Gora, 41 vjeç, banues në fshatin Buçima, si dhe ish-specialistin e sigurisë në Postën Korçë, shtetasin Albano Bibo, 34 vjeç, banues në Korçë.

Sipas burimeve të policisë, këta dy ish-zyrtarë shpërdoruan detyrën, duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, Pogradec. 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim të datës 6 Korrik 2021, për këta shtetas kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Falsifikimi i dokumenteve", kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu Policia e Korçës në kuadër të operacionit "Kontrata" ka ekzekutuar masën shtrënguese "Ndalimi i daljes jashtë shtetit", vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe për shtetasit e mëposhtëm:

Adriana Koxheri, 59 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë përgjegjëse e shërbimeve pranë Postës Shqiptare Dega Korçë),

Kamela Myrte, 28 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë llogaritare e parë),

Anila Koroveshi, 53 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë specialiste shërbimesh),

Bardhyl Pane, 66 vjeç, banues në Korçë (me detyrë agjent kontrolli),

Elona Galo, 34 vjeçe, banuese në Pogradec (me detyrë përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Pogradec),

Bledian Çoçka, 45 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me detyrë punonjës shërbimesh pranë Postës Shqiptare Dega Maliq),

Ermira Morava, 32 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë).

Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

"Nga hetimet e kryera rezulton se nëntë shtetasit e mësipërm, duke ushtruar detyrat e tyre respektive pranë Postës Shqiptare në filialet Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori Valter Gora, ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte. Në vijim të veprimeve procedurale është provuar se shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni." thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ana e Policisë, po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit S. M.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Të fundit