Flash News

E-TJERA

Familjarët e Leo Sadikut protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë: Kërkojmë drejtësi për vdekjen e tij

Familjarët e Leo Sadikut protestojnë para Ministrisë së

Familjarët e 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili ndërroi jetë në QSUT më 8 janar, kanë dalë në protestë këtë të martë para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes që çoi në vdekjen e të miturit.

Motra e Leos ka deklaruar se nuk është bërë asnjë ekzaminim i plotë dhe se deri më tani nuk është marrë asnjë masë ligjore ndaj përgjegjësve. Nëna e tij, e përlotur, ka denoncuar trajtimin e djalit të saj në spital, duke theksuar se ai u la për orë të tëra vetëm me një serum, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes.

"Unë jam nëna e Leos dhe do të luftoj deri në fund për drejtësi. Djali im u la 7 orë duke vjellë pa asnjë trajtim të duhur. Nuk e solla në Tiranë që të ma vrisnin! Prokuroria duhet të veprojë," – u shpreh ajo gjatë protestës.

Leo Sadiku ishte shtruar fillimisht në spitalin e Korçës më 28 dhjetor me simptoma gripi dhe u la i lirë natën e Vitit të Ri. Më 7 janar, ai u rikthye në spital me gjendje të rënduar dhe u dërgua në QSUT, ku ndërroi jetë një ditë më vonë. Sipas QSUT-së, shkaku i vdekjes ishte miokarditi akut, por familjarët pretendojnë se neglizhenca mjekësore çoi në humbjen e jetës së të miturit dhe kërkojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Protesta para Ministrisë së Shëndetësisë u mbështet edhe nga qytetarë të tjerë që kërkuan një sistem shëndetësor më të përgjegjshëm dhe llogaridhënie për rastet e neglizhencës mjekësore.

Të fundit