Flash News

E-TJERA

Çfarë hamë sot në Shqipëri, kur nuk prodhojmë dot as hudhra?

Çfarë hamë sot në Shqipëri, kur nuk prodhojmë

Nga Auron Tare 

Ky është një dyqan normal në një nga lagjet historike të Gjirokastrës.

E pyeta të zotin, çfarë prodhimesh ka nga fshati?

"Po, ja," më tregoi me gishtë, "shiko vetë - Përveç spinaqit, asgjë nuk është e jona. Janë bërë perimet si turistë."

Hudhrat nga Kina,

Patllixhanët nga Bullgaria,

Portokallet greke,

Gështenjat greke,

Arrat greke,

Kumbullat e mëdha italiane, të voglat maqedonase,

Pjeshkët italiane,

Shegët turke.

"Aaa, prit!" i thashë, kur mbaroi së numëruari, "patatet dhe qepët janë tonat."

"Jo," më tha, "vijnë nga Gjermania."

"Nuk ka mundësi," i thashë, "Kolonja është mbushur me patate dhe qepë."

"Jo, jo, gjermane i ke," më tha. "Vijnë më lirë se tonat."

Zotëria që shiste në dyqan, dukshëm një person i lexuar, me një psherëtimë të gjatë, vazhdoi më tej:

"E di kur ka marrë ferra uratën në këtë vendin tonë? Kur fshatarët vijnë këtu dhe blejnë një thes me patate gjermane apo një varg qepësh. E kupton ku jemi katandisur? Të vijë fshatari tek unë të blejë patate nga Gjermania!"

"Jemi më keq se në kohën e dikurshme, kur vinin fshatarët dhe blinin bukë gruri në qytet."

Në fakt, përtej dëshpërimit të një qytetari normal në një qytet si Gjirokastra, një situatë e tillë në bujqësi është tejet alarmante.

Ne sot jemi një shoqëri që jo vetëm nuk prodhojmë më asgjë në fushën e bujqësisë, por konsumojmë në përgjithësi produkte të ardhura nga jashtë.

Tregu ynë i mbushur me prodhime që shkëlqejnë nga dylli dhe kimikatet që kanë për t'i rezistuar kohës, tregon degradimin e bujqësisë, e cila përtej rrezikut të madh shëndetësor, ka një kosto shumë të lartë ekonomike. Valuta e futur tek ne nga turizmi, në fakt, del jashtë për të blerë prodhimet ushqimore, të cilat futen në treg për të ushqyer numrin e turistëve që vijnë në vend.

Ndërkohë, një bujqësi e fortë jo vetëm që do të siguronte një cilësi në prodhimet tona, të cilat do të mbështesnin të gjithë sektorin e turizmit, duke mbajtur valutan në vend.

Sigurisht, një koncept shumë i thjeshtë për t'u kuptuar, por i paadministruar deri më sot.

Përtej mburrjes së numrit të lartë të turistëve që vizitojnë vendin, askush nuk flet dhe nuk mban përgjegjësi se përse sot bujqësia jonë nuk prodhon dot as hudhra, të cilat vijnë nga Kina.

Të fundit