Flash News

E-TJERA

Çfarë pritet nga samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropia, Rama dhe Osmani mes liderëve pjesëmarrës

Çfarë pritet nga samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropia,

Në Kopenhagen të Danimarkës po mbahet këtë të enjte Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, që mbledh së bashku liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues nga 22 shtete të tjera. Në mesin e tyre janë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi bashkëkryesohet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në qendër të diskutimeve janë mbështetja për Ukrainën, siguria dhe stabiliteti i kontinentit, si dhe sfidat gjeopolitike me të cilat përballet Evropa. Pas seancës plenare, liderët do të ndahen në tryeza të rrumbullakëta për të trajtuar kërcënimet hibride, sigurinë ekonomike dhe çështjet e migracionit.

Sipas agjendës, mbërritja e delegacioneve nisi në orën 08:15, seanca plenare zhvillohet në orën 10:00, ndërsa fotoja familjare është parashikuar në 11:30. Pasdite priten takime dypalëshe, ndërsa seanca përmbyllëse është caktuar për në orën 15:00.

Samiti zhvillohet një ditë pas takimit joformal të Këshillit Evropian, ku temë kryesore ishin mbrojtja evropiane dhe lufta në Ukrainë. Mbrëmjen e kaluar, liderët morën pjesë në një darkë zyrtare të organizuar nga Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Margrethe II në Pallatin Amalienborg.

Ky takim pason samitin e gjashtë të mbajtur në Tiranë më 16 maj, me temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët.”

 

Të fundit