Flash News

E-TJERA

'Fasada e perfeksionit'/ Psikologia: Rrjetet sociale shqetësim serioz për shëndetin e të rinjve!

'Fasada e perfeksionit'/ Psikologia: Rrjetet sociale shqetësim
Foto ilustruese

Rrjetet sociale janë bërë së fundmi pjesë e pandashme e përditshmërisë së të rinjve, duke ndryshuar mënyrën se si ata komunikojnë, informohen dhe e perceptojnë realitetin.

Por ndërsa platformat si Instagram, TikTok dhe Facebook ofrojnë mundësi të reja për shprehje, krijimtari dhe ndërveprim, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që ato sjellin.

"Rrjetet sociale po ndikojnë direkt në shëndetin mendor të të rinjve. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj standardeve jorealiste të bukurisë apo suksesit rrit ankthin dhe ndjenjën e pamjaftueshmërisë," thotë psikologia Kledona Dashi, për Politiko.al.

Sipas një studimi të fundit të kryer nga Qendra për Zhvillimin e Rinisë në Shqipëri, mbi 78% e të rinjve të moshës 15-24 vjeç e përdorin rrjetin social çdo ditë për më shumë se 3 orë. Shumë prej tyre raportojnë se ndihen të varur ose kanë përjetuar ulje të vetëbesimit.

Për psikologen Dashi krahasimi social është një nga faktorët kryesorë. Të rinjtë sipas saj krahasojnë veten me të tjerë veçanërisht me ata që shfaqin jetën e tyre si ‘të përkryer’ dhe kjo çon në ulje të vetëbesimit.

“Ky krahasim shpesh çon në ndjenja të mjaftueshmërisë së ulët, vetëdyshimi dhe ulje të vetëvlerësimit. Feedback-u i jashtëm si pëlqim (like), komente positive apo ndjekësit bëhen indikatorë të vlerës personale. Kjo krijon një varësi ndaj validimit të jashtëm në vend të ndërtimit të një vetëvlërsimi të brendshëm dhe të qëndrueshëm”,- shprehet psikologia.

Dashi shton më tej se ndjekja e një perfeksioni virtual te të rinjtë, sjell pasoja të rënda psikologjike dhe fizike.

Ajo thotë se ndjekja e standardeve jo-realiste të bukurisë që shpesh janë rezultat i filterave, modifikimeve digjitale apo ndërhyrjeve estetike, bën që shumë të rinj të mos ndihen rehat me pamjen e tyre, duke rritur rrezikun për çrregullime si anoreksia bulimia apo depresioni.

“Kultura e perfeksionit në rrjete sociale, ku çdo foto, video apo status duket i kuruar deri në detaj mund të ketë pasoja të rënda psikologjike. Rritja e pritshmërive të pamundura ndaj vetes duke u ndjerë gjithnjë nën presion për të qënë më të bukur, më të suksesshëm, më të rëndësishëm. Kjo gjendje shoqërohet  me rritje të stresit, mungesë vetëbesimi dhe lodhje mendore. Ndjekja e standardeve jo-realiste të bukurisë që shpesh janë rezultat i filterave, modifikimeve digjitale apo ndërhyrjeve estetike, bën që shumë të rinj të mos ndihen rehat me pamjen e tyre, duke rritur rrezikun për çrregullime si anoreksia bulimia apo depresioni. Ndjenja që jeta e të tjerëve është gjithmonë më e mirë dhe më interesante. Kjo krijon ankth dhe pakënaqësi me jetën reale, duke i larguar të rinjtë nga pranimi i vetvetes dhe momenteve reale”,- shprehet psikologia për Politiko.al.

E pyetur se përse të rinjtë ndjehen të detyruar të paraqiten ndryshe nga realiteti në rrjete sociale, Dashi vlerëson se arsyeja kryesore është nevoja për pranim social.

“Në moshën e adoleshencës dhe rreth saj, të rinjtë janë në kërkim të vetëidentitetit dhe e bazojnë shumë prej vlerës së tyre në mënyrën si perceptohen nga të tjerët. Normat kulturore të rrjeteve sociale. Nëse të gjithë rreth tyre postojnë imazhe të redaktuara, udhëtime luksoze apo pamje të suksesshme, lind një lloj norme grupore ku “të jesh vetvetja” ndoshta nuk shihet si mjaftueshëm e mirë. Frika për gjykim dhe refuzim. Të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj gjykimit të bashkëmoshatarëve. Ata më mirë paraqiten ndryshe sesa të rrezikojnë të mos pranohen”,- përfundon psikologia.

Duket se trendi për perfeksion virtual krijon pasoja serioze në vetëvlerësimin dhe shëndetin emocional të adoleshentëve. 

Në një epokë ku jeta virtuale shpesh përzihet me realitetin, balanca mes përdorimit të shëndetshëm dhe varësisë nga rrjetet sociale është sfida më e madhe për brezin e ri shqiptar, megjithatë ekspertët kërkojnë që institucionet arsimore dhe familjet të investojnë më shumë në edukimin digjital të të rinjve.

Të fundit